Telegrafi

Sfeçla: Ka nisur hetimi mbi pretendimet e Pacollit për kërcënime nga militantët e LVV-së

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në qeverinë e Albin Kurtit, Xhelal Sveçla theksoi në “Ilva Now” se autoritetet e Kosovës kanë nisur hetimet, në lidhje me pretendimet e Pacollit, i cili tha se militantë të VV-së e kanë kërcënuar atë dhe familjen e tij. Ai u shpreh se kreu i AKR-së do të merret në pyetje mbi pretendimet e tij, sapo të kthehet nga Zvicra.

“Po, patjetër, ne kemi filluar hetim këtu. Po sa Pacolli të kthehet nga Zvicra, sigurisht që njësitë e anti-terrorit do të marrin të gjithë informatat , indicet që ai disponon për të ashtuquajturin të sulmin terrorist shtetëror. Unë besoj se Pacolli do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve”, theksoi ai.

Ai shpjegoi në “Ilva Now” se nuk ka deklaruar kurrë se Pacolli ka hyrë në Kosovë me veturën e Thaçit. Ministri Zveçla tregoi gjithashtu se Presidenti Thaçi ka kaluar për 100 minuta kufirin e Kosovës, dhe ky kalim drejt Shqipërisë korrespondonte me kohën e aterimit të Pacollit, ndaj sipas tij kjo çështje ka marrë vëmendje të madhe.

“Unë në asnjë moment nuk kam deklaruar se Pacolli ka qenë në veturën e zotit Thaçi. Unë jam përgjigjur shumë pyetjeve të gazetarëve, të cilat kanë pasur pretendime, në bazë të informatave të tyre, por edhe në bazë të informatave të Policisë së Kosovës për sjellje të çuditshme dhe të papërshtatshme të Presidenti të Republikës. Në kohë pandemie zoti Thaçi lëshon  territorin e Kosovës në drejtim të Shqipërisë, saktësisht për 100 minuta dhe pas kësaj kthehet në Kosovë duke thyer protokollet. Unë ju përgjigja pyetjeve të mediave, por po ashtu u përgjigja edhe dokumentacioneve që na vinin për daljen dhe hyrjen e tij në Kosovë, në kohën kur kjo korrespondonte me aterimin e Pacollit. Unë nuk kam thëne se ka qenë në veturën e zotit Thaçit, por kam thënë se çfarëdo kalimi ilegal do mund të përmbante shkelje penale”, tha ai.