Telegrafi

Sfarqën e Reçicën i bashkon tenderi (Dokument)

I pari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa duket se njoftimet për dhënie të tenderëve i bën vetëm sa për sy e faqe. Se kush do të jenë fituesit,ai vendosë në kafe. Kështu thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të biznesit në këtë qytet.

Edhe përzgjedhja e kompanisë “Ekologjia” për dezinsektimin e komunës së Ferizajt në vlerë 105 mijë euro ka ngritur dyshimet për një tender të montuar paraprakisht.

Gazeta Fjala ka siguruar një fotografi ku shihen bashkë Muharrem Sfarqa me pronarin e kompanisë “Ekologjia”, Ramadan Gashi dhe rivalin politik të Sfarqës, Elmi Reçica, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Kjo foto e realizuara vetëm pak ditë para shpalljes së tenderit ka ngjallur dyshime për përcaktim të kritereve të cilat e favorizojnë Gashin.

Gashi ka mohuar për Gazetën Fjala se në këtë proces ka ndikuar kryetari i komunës Muharrem Sfarqa që vije nga LDK dhe deputetit të PDK-së, Elmi Reçica.

Ai para se të konkurronte për të marrë punën nga komuna ka thënë se ka një përvojë të gjatë në këtë fushë dhe do të respektoj kriteret e parapara.

Por, në tenderin e publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik shihet se kompania e Gashit është shpallur fitues edhe pse në garë ishin vetëm dy konkurrent.

Me ligjin e prokurimit tenderi nëse është i hapur nuk mund të procedohet me tutje kur ka me pak se tre konkurrent. Në këso rrethana tenderi mund të shkojë përpara vetëm nëse ai është i negociuar. Në të kundrën ai duhet të anulohet për tu shpallur serish.

Komuna dhe kompania fituese kontratën për tenderin “Dezinsektimi, Dezinfektimi dhe Deratizimi i hapësirave publike të Qytetit dhe objekteve (institucioneve) të Komunës së Ferizajt” kanë paraparë që ta nënshkruajnë me 01.06.2015./Gazeta Fjala/Telegrafi/