Telegrafi

Sezoni turistik rrit paratë false në qarkullim

Kartëmonedha false 500-lekëshe në qarkullim, prangoset një prej zotëruesve dhe tjetri hetohet në gjendje të lirë. Gjithnjë e më i pasigurt bëhet tregu monetar në sezonin e pushimeve për shkak të ndryshimit të raportit kërkesë-ofertë të lekut dhe valutave të huaja, si pasojë e hyrjes në vend të mijëra emigrantëve.

Dje u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Edrit Caka, 19 vjeç, nga Berati me banim në Plazhin e Durrësit. Caka së bashku me një moshatar nga Lushnja, Markel Çela, u kapën me një sasi kartëmonedhash shqiptare të falsifikuara të prerjes pesëqindëshe.

Njëzetë e katër copë ishin me numër serie US234785 dhe një tjetër me numrin UP593802. Paratë e falsifikuara u gjendën në automjetin tip "Mercedes Benz" me targë të huaj AM883PP, që është në pronësi të shtetasit Edrit Caka.

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se kartëmonedhat e bllokuara, të cilat kapnin vlerën e 12500 lekëve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa nisi hetimi për veprën penale të falsifikimit të monedhave, parashikuar nga neni 183 i Kodit Penal. /shqip/