Policia e Tiranës njofton ndryshimet që do të pësojë qarkullimi i mjeteve gjatë fundjavës për sezonin turistik. Me qëllim zbutjen e trafikut rrugor dhe qarkullimin e sigurt të mjeteve brenda kryeqytetit dhe në rrugët e tjera të Qarkut të Tiranës, gjatë sezonit turistik veror maj 2016 – 30 shtator 2016, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon nga drejtuesit e mjeteve zbatimin e disa rregullave.
Ndalohet qarkullimi në fundjavë, ditën e shtunë nga ora 09:00 deri në orën 14:00 dhe ditën e diel nga ora 12:00 deri në orën 24:00, në segmentet interurbane kryesore dhe në segmentet urbane të qarkut të Tiranës, për mjetet : e transportit te mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7 500 kg, me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, mjetet rrugore apo bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/h mjetet bujqësore dhe teknologjike që kalojnë përmasat kufitare sipas nenit 61 të Kodit Rrugor për kursantët e autoshkollave mësimore.
Përjashtohen nga këto kufizime të lëvizjes automjetet që për shkak të kohës dhe rrethanave, vonesat mund të sjellin dëme të konsiderueshme materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve të rënda për zbatimin rigoroz të këtyre rregullave.
Gjithashtu këshillojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk kufizohen nga kjo urdhëresë që për të shmangur trafikun e rënduar si pasojë e sezonit turistik të përdorin edhe rrugët:
Tiranë – Ndroq – Plepa
Tiranë – Kamëz – Fushë Krujë
Rrugët dytësore të Autostradës Tiranë – Vorë