Sezoni turistik veror në Shqipëri po afron, por punonjësit mungojnë. Shqetësimin e ngriti konsulenti hotelier, Gid Shaqiri në ditën përmbyllëse të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit.
“Momentalisht, ne po hasim mjaft sfida në sajë të stafeve si në numër ashtu edhe në aftësi. Kjo pasi ka një trysni nga brenda dhe jashtë vendit”, shprehet konsulenti i hotelerisë Gid Shaqiri, raporton A2 CNN.
E teksa bizneset përballen me mungesë të fuqisë punëtore madje edhe të pakualifikuar, Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi vlerësoi se ka ardhur koha për burime njerëzore novatore.
“Në gjithë këtë zinxhir padyshim që nevoja për punonjës është shumë e madhe. Por nga ana tjetër, nevoja për të zhvilluar turizmin kërkon ide novatore në fushën e teknologjisë”, shprehet ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi.
Për kërkuesin në fushën e turizmit Auron Pasha dhe tur-operatorin Roland Plaushi, turizmi në vend ka nevojë për një strategji të re, të orientuar te zhvillimi i qëndrueshëm
Për tri ditë me radhë në Tiranë u zhvillua Konventa Ndërkombëtare e Turizmit ku morën pjesë përfaqësues nga Organizata Botërore e Turizmit, sipërmarrës dhe përfaqësues të tjerë nga ky sektor. /Telegrafi/