Pritshmëritë e këtij sezoni turistikë janë të larta, se ai do të jetë edhe më i mbarë se një vit më parë, i cili shënoi 7.5 milion turistë.
Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro në një intervistë në Vizion Plus thotë se foksi i qeverisë nuk janë vetëm numrat, por cilësia e shërbimit.
“Nuk rend pas numrave, edhe pse tremujori i parë i këtij viti është trend që tregon shumë për ecurinë e mëtejshme. Ne na duhet cilësia. Na duhen turistë që rrinë më gjatë që shpenzojnë shumë dhe që rikthehen. Fakti që në 2022 u trefishua numri i turistëve spanjollë është tregues që ata duan të rrinë në Shqipëri, fakti që po hapen hotele, me emra prestigjioz brandesh është gjithashtu tregues i rritjes së cilësisë. Këto tregues na bëjnë të jemi më optimistë për një rritje të cilësisë”, tha Kumbaro.
Por largimi i fuqisë punëtore vijon të jetë një kryefjalë për çdo sektorë, por ministrja ka një apel për çdo të ri, që është në kërkim të punës.
“Turizmi është një sektor që po njeh rritje. Ai ka të ardhme, nuk mund të ketë sektor tjetër që garanton qëndrushmëri pune sesa turizmi. Ndaj ftoj çdo të ri që të punësohet në këtë degë të ekonomisë, pasi pagat janë të mira, ndërsa sezoni po zgjatet çdo vit e më shumë”, sqaroi ministrja.