Babai i Reece James, Nigel, ka dhënë një intervistë për podcastin “The Beautiful Game“, duke diskutuar për djalin e tij.
Ai zbuloi se futbollisti ishte shumë i pikëlluar me mënyrën se si përfundoi sezoni i kaluar, pasi skuadra nuk e përmbushi asnjërën prej objektivave të tyre, madje në sezonin e ri nuk do të luajnë në asnjë garë ndërkombëtare.
“Për momentin, unë nuk shoh ndonjë ndryshim, ai është një lojtar i Chelseat. Derisa Chelsea të dëshirojë ta shesë atë, ai do të jetë aty”, është shprehur Nigel.
“Ai është atje që në moshën gjashtëvjeçare. Ambicia e tij është të mbajë shiritin e kapitenit në krah. Sezoni i kaluar ia theu zemrën. Jashtë fushës, pasi humbi ndeshjet (shkaku i lëndimit), e lëndoi vërtet atë”, ka shtuar më tej babai i lojtarit.
Nigel James gjithashtu ka zbuluar se kur Reece ishte në Akademinë e Chelseat, mund të ishte larguar nga klubi. Megjithatë, nëna e tij këmbënguli të qëndronte në Cobham.
Reprezentuesi anglez ka kontratë deri në vitin 2028 me Blutë dhe kohëzgjatja e kontratës tregon se sa i përkushtuar është te Chelsea. /Telegrafi/