Telegrafi

Sezoni 2020/2021 në Superligën e Kosovës pritet të fillojë kah fundi i gushtit

(Foto: ffk-kosova.com)

Pandemia globale e coronavirusit ka shkaktuar ndryshime të mëdha në oraret e futbollit, duke qenë se u pezullua çdo aktivitet për një periudhë disamujore.

Këtu nuk bën përjashtim as Kosova, pasi Federata e Futbollit e Kosovës vendosi t’i anulonte garat, të cilat tashmë kanë rifilluar gjatë muajit qershor. Edicionin 2019/2020 pritet të përmbyllet me 25 korrik që do të thotë se ndikon edhe në fillimin e sezonit të ri.

FFK akoma nuk ka vendosur për datën e fillimit të sezonit 2020/2021, ndërsa në një prononcim për Zeri.info, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, ka thënë se beson që Liga e Parë do të nisë më herët dhe pastaj do të fillojë Superliga.

“Te ne Liga e Parë duhet të fillojë më herët, besoj kah mesi i gushtit, për shkak se ka më shumë skuadra, kurse Superliga pritet të fillojë kah fundi i muajit gusht. Të mos harrojmë se e kemi kampionatin evropian vitin e ardhshëm, andaj duhet të fillojë më herët”, ka thënë Salihu.

Ai ka kërkuar mirëkuptim për situatën e krijuar si pasojë e rrethanave të imponuara nga pandemia e COVID-19.

“Duhet të kuptojmë të gjithë se ka ndodhur një e keqe e madhe, por duhet t’i përshtatemi situatës. Besoj se javën tjetër do t’i vendosim datat parimisht se kur do të fillojë edicioni i ri në mënyrë që skuadrat të përgatiten”, ka shtuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së.