Site icon Telegrafi

Sezon pa roje bregdetare në Shqipëri, pronarët e plazheve licencohen vetë për të kursyer

Sipas Vendimi të Këshillit të Ministrave, çdo subjekt që merr lejen për të përdorur zonën e plazhit duhet të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit. Në teori e zbatueshme, por në praktikë nuk ndodh kështu.

“Kam 5 ditë, roje bregdetare nuk ka pasur për arsye se ndoshta është fillimi. Me lart ka kabina që ndoshta në një të ardhme do ketë që do kontrollojnë detin se tani ka pak njerëz”, u shpreh një qytetar për Euronews.

“Roje bregdetare nuk kemi parë asnjëherë këtu, nuk ka pasur asnjëherë, nuk kemi parë as vite të tjera se kemi 14 vjet që e kemi blerë shtëpinë”, tha një qytetare.

Lexo po ashtu Protestë para ministrisë së Turizmit në Tiranë për mbytjet e shkaktuara prej mungesës së rojeve në plazhe

“Jam nga Polonia, kam dy dite këtu, nuk kam parë asnjë vrojtues plazhi dhe skam parë as dushe dhe është shumë e çuditshme për mua, se kur kemi qenë në vende të tjera ne i kemi këto. Duhet të ketë vrojtues, shoh që ka kulla por s’kanë asnjë person aty,” tha turisti.

“Jemi nga Kosova, kemi 1 muaj, nuk kemi parë asnjë roje, nuk ka asnjë kufizim aty është rrezik për fëmijët”, tha një vizitore nga Kosova.

Leneda Kamberaj, trajnere e licencuar e vrojtuesve të plazhit, tha për Euronwes Albania se për vitin 2022 janë trajnuar dhe licencuar 19 vrojtues. Por të 19 janë pronar plazhi dhe kjo ndodh për dy arsye.

Lexo po ashtu Nëse do të kishte vrojtues, 18-vjeçari që u mbyt në Durrës do ishte gjallë, thotë instruktori

“Pronarët e plazhit kërkojnë persona për t’i trajnuar që t’ua bëjnë ata pagesën e trajnimit dhe të vendosi vrojtuesit çfarë rroge duan, por nuk ka persona të interesuar. Një arsye tjetër është se pronarët e plazhit nuk duan të paguajnë lekë shtesë për të marrë një punonjës më shumë dhe e bëjnë vetë trajnimin, por nuk është se këta pronar qëndrojnë në pikën e vrojtimit dhe kryejnë rolin e vrojtuesit të plazhit, e marrin vetëm për të marrë lejen e plazhit dhe kaq”, sqaroi ajo.

Në Vlorë tashmë shezlongjet janë vendosur dhe pushuesit shtohen çdo ditë, ndërsa mungesa e elementëve të sigurisë, vijon të mbetet problem edhe këtë sezon. Kryeinspektori i policisë bashkiake tha për Euronews Albania se kontrollet nuk kanë nisur ende pasi po pritet lista përfundimtare e përfituesve të plazheve nga bashkia Vlorë.

Sakaq Agjencia Kombëtare e Bregdetit tha se javën që vjen do të nisin kontrollet së bashku me policinë e shtetit dhe atë bashkiake për të kontrolluar të gjitha subjektet mbi hapësirat e zëna dhe pajisjen me vrojtues plazhi.

Për këtë sezon, i vetmi vrojtues në plazhin e Vlorës, rezulton të jetë kryetari i bashkisë Dritani Leli, i cili i dha ndihmën e parë një pushuesi që pati problem me zemrën. /Telegrafi/

Exit mobile version