Telegrafi

“Sex wrestler” film shqiptaro-amerikan

Rockwell dhe Col janë dy të ftuarit e nderit të edicionit të gjashtë të Tirana International Film Festival. Titullin e kanë menduar tashmë. Do të quhet "Sex wrestler" ("Mundje seksi"). Ndonëse bashkëpunimi me shtëpinë filmike "Ska-Ndal" ka nisur me kohë, ardhja në Shqipëri, ua qartësoi edhe më tepër idetë regjisorit Rockwell dhe skenaristit Col.

"Shqipëria më ka ngjallur shumë interes edhe para se ta njihja. Më pëlqeu shumë atmosfera që gjeta këtu. Më pëlqen energjia që shoh dhe më duket si Nju Jorku i 20 viteve përpara", – thotë regjisori, ndërsa shton se rreth 75% e filmit do të xhirohet në Shqipëri.

Mësohet se puna do të fillojë vitin që vjen dhe nga vjeshta, gjithçka do të jetë shumë më konkrete. Ndërsa janë ende në punë e sipër me skenarin, zbulojnë vetëm disa detaje.

Flitet për një grup artistësh xhuxhë, të cilët janë të pakënaqur në Amerikë. Kanë filluar të mos e ndiejnë më veten të rëndësishëm në rrethet artistike. Aty pari na del një artiste me origjinë shqiptare, e cila i këshillon të vijnë në Shqipëri. Artistët nuk duan të zbulojnë më shumë, por duket se filmi ka një nëntekst të fortë ironik.

Duket se kineastët e kanë "inatin" me Hollywood-in dhe festivalet e mëdha. Sipas tyre, atje nuk bëhet më kinema e madhe. Kjo është edhe arsyeja pse ata ndërmarrin një bashkëpunim me një shtëpi filmike shqiptare.

Sipas skenaristit Brandon Col, në festivalet e mëdha, si p.sh., në Kanë e gjetkë nuk gjen më një kinema të vërtetë.

"Kinemaja e madhe gjendet në festivalet e vogla. Festivalet e mëdha e kanë kthyer kinemanë në biznes", thotë Col, skenarist, që ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të kinematografisë botërore.

Po kështu edhe Rockwell, i cili është i njohur tashmë për filmat e tij "In the soup", "13 Moons", "Somebody to love", "Four rooms", etj. Ka bashkëpunuar me emra si Quentin Tarantino, Robert Rodrigues, Antonio Banderas, Tim Roth, Jennifer Beals, Madonna, Stive Buscemi, etj. /A. Mile/Panorama/