Quique Setien ka komentuar fitoren e vuajtur të Barcelonës ndaj UD Ibizas në kuadër të 1/16 së Kupës së Mbretit.
Barcelona fitoi 2-1 ndaj skuadrës nga liga e dytë e Spanjës, fal dy golave të Antoine Griezmannit, që u shënuan në fund të takimit.
Setien ka thënë se ata kanë bërë shumë gabime dhe kanë humbur topin lehtësisht, duke i lejuar kundërshtari të luajë lojën e tyre.
“Ne kemi bërë shumë gabime dhe bëmë ndeshjen më të lehtë për kundërshtarin. E dinim se ndeshja do të ishte e vështirë. Kemi humbur topin shumë herë dhe në pjesën e dytë kemi gjetur hapësirë”, ka thënë ai.
“Kundërshtari luftoi deri në fund të takimit, por nuk duhet që e njëjta gjë të na ndodhë sërish. Nuk kishim shumë njohuri për terrenin kundërshtar, por skuadra vazhdoi të luante dhe fituam”.
“Ndoshta u fokusuam shumë, mirëpo nuk duhet mohuar edhe punën e Ibizas që bënë në fushë. Dëshironim të luanim ndeshjen tonë, por ata nuk na lejuan”, ka shtuar më tej Setien.
Barcelona kaloi në 1/8 e finales së Kupës së Mbretit dhe tani pret të mësojë për kundërshtarin e radhës. /Telegrafi/