Çmimet e naftës kanë prekur nivelin më të lartë në 18 muajt e fundit gjatë së martës, që është edhe dita e parë e tregtisë për vitin 2017.
Diçka e tillë vjen si pasojë e hyrjes në fuqi të marrëveshjes për shkurtimin e prodhimit mes vendeve prodhuese. Prej datës 1 Janar të këtij viti, marrëveshja që parashikon shkurtimin e prodhimit global me të paktën 1.8 milionë fuçi në ditë, ka hyrë në fuqi.
Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 58.37 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 55.24 dollarëve për fuçi.
Rritja fiksohet në 2% që në orët e para të mëngjesit të së Martës. Investitorët po reflektojnë kështu optimizëm, duke shpresuar se këtë vit tregu do të balancohet. Por nga ana tjetër, elementët që kërcënojnë të ardhmen e tregu vijojnë të mbeten të pranishëm.
Libia, ndër vendet që nuk ka nënshkruar marrëveshjen e shkurtimit të prodhimit, ka rritur prodhimin me rreth 100 mijë fuçi në ditë, në 685 mijë fuçi.
Nga ana tjetër, në Rusi prodhimi gjatë dhjetorit regjistrohet pranë niveleve rekord të 30 viteve të fundit. /Telegrafi/