Site icon Telegrafi

Serwer: Amerika dhe Evropa i kanë treguar Serbisë se nuk mund ta merr veriun e Kosovës (Video)

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se teknikisht është i mundur formimi i Forcave të Armatosura, madje edhe pa amendamente kushtetuese, por për këtë do të ishte mirë të keni edhe përkrahjen e serbëve. Ai gjithashtu ka komentuar rreth integrimit të veriut të Kosovës dhe ambiciet serbe që ajo pjesë t’i takojë Serbisë.

Serwer ka thënë se veriu i Kosovës nuk është i integruar mirë.

“Mendoj se do të ishte mirë edhe për shqiptarët edhe për serbët nëse veriu do të integrohej në kuadër të Planit të Ahtisaarit, i cil parasheh formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, tha analisti amerikan Daniel Serwer, në një intervistë ekskluzive për RTK-në.

Më tej ai tha se nuk beson se Qeveria e Serbisë ka shpresë se veriu i Kosovës mund t’i bashkohet formalisht Serbisë.

“U është thënë nga amerikanët dhe evropianët që kjo s’do të ndodhë. Megjithatë ka njerëz në veri të Kosovës që nuk e duan integrimin me pjesën tjetër të Kosovës. Nëse rusët do të paraqisnin problem atje, s’do të isha i befasuar, por nuk e di nëse kjo do të ndodhë”, tha ai.

Duke folur për 10-vjetorin e shtetësisë së Kosovës, Serwer tha se Kosova ka përparuar shumë, por se pavarësia e saj ende nuk është e plotë.

“Kosovës i mungojnë forcat e armatosura. Ende është nën mbrojtje të NATO-së, ende ka gjyqtarë e prokurorë të huajë në gjyqe, përfshirë edhe gjykatën Speciale.  Nuk ka mbikëqyrje të plotë në veri dhe ka ende shumë kufizime në pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Serwer beson se teknikisht është i mundur formimi i Forcave të Armatosura edhe pa ndryshime kushtetuese.

“Mendoj se teknikisht është i mundur formimi i Forcave të Armatosura, madje edhe pa amendamente (ndryshime) kushtetuese, por për këtë do të ishte mirë të keni edhe përkrahjen e serbëve. Mendoj se këtë temë duhet diskutuar me Beogradin, sepse Beogradi vendos se si serbët votojnë në Parlament”, tha ai.

Ai mendon se Gjykata Speciale do ta përmirësojë imazhin e Kosovës.

Analisti amerikan foli edhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version