Telegrafi

Sërish rrahje në Parlamentin e Ukrainës (Foto/Video)

Përfaqësuesit e opozitës fillimisht u përpoqën që fizikisht të parandalojnë votimin mbi ngritjen e përfaqësuesve të partisë në pushtet, në postin e kryetarit të Parlamentit, e pastaj filloi rrahja masive përreth foltores.

Edhe të mërkurën situata ishte po ashtu dramatike në Kuvendin e Ukrainës: opozita ka rrethuar foltoren kryesore dhe ka ndërprerë seancën, në mënyrë që Mykola Azarov të mos e fitonte mandatin e dytë si kryeministër. 

Sot ata u mblodhën rreth foltores, atëherë kur është dashtë të nisë votimi për emërimin Vladimir Ribakut – kandidat i Partisë së Rajoneve – për kryetar të Parlamentit. Azarov, konservatori 64-vjeçar të cilin e ka emëruar për kryeministër presidenti Viktor Yanukovych, për çudi vetëm shikonte parlamentaret tek rriheshin.

Opozita, në të cilën janë anëtarë të Parlamentit – besnikë të ish kryeministres së burgosur Yulia Tymoshenko – si dhe nacionalistët nga partia djathtiste Liria dhe Aleanca Demokratike Ukrainase për Reformë që udhëhiqet nga boksieri Vitali Klitschko, ka akuzuar koalicionin qeverisës se po imponon propozimet dhe se ka shkelur procedurën parlamentare.

Në të njëjtën kohë, para Parlamentit, për shkak të korrupsionit në Qeveri kanë demonstruar lakuriq edhe aktivistet nga organizata FEMEN. Katër aktiviste gjysmë-lakuriq kanë kapërcyer mburojën në tentimin për të hyrë brenda e për të shprehur pakënaqësinë e tyre. /Telegrafi/