Telegrafi

Sërish protesta në Shkup për rastin e vrasjes së Almirit (Foto)

Të enjten para Kuvendit të Maqedonisë janë planifikuar sërish protesta për rastin e vrasjes së Almir Aliut 4-vjeç nga Kumanova.

Organizatorët e këtyre protestave njoftojnë protestat do të mbahen të njëjtën ditë kur përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn do ta vizitojnë vendin, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Të enjten, më 19 prill, do të tubohemi para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ta përshëndesim z. Mogherini dhe z. Hahn, dhe t’i përkujtojmë se drejtësia në Maqedoni ka vdekur. Për kohën e tubimit do të ketë informata plotësuese”, thuhet në njoftimin e grupit “Drejtësi për Almirin”.

Përndryshe, vrasësi i Almirit të vogël, Boban Iliq, nga Gjykata Penale u dënua vetëm me gjashtë vite burg për veprën penale “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”, gjë që shkaktoi revoltë të madhe tek opinioni./Telegrafi/