Telegrafi

Sërish ngritje e çmimit të naftës

Nafta e lehtë amerikane për dërgesën e nëntorit sot u shtrenjtua për 1,87 dollarë në 73, 72 dollarë për barel, pasi që të premten çmimi i saj u ul në 71,85 dollarë për barel. "Brenti" evropian i Detit të Veriut për dërgesën në dhjetor u shtrenjtua për 1,60 dollarë në 71,20 dollarë për barel.

Rritja e tillë e naftës për më shumë se 1,50 dollarë pason pas paralajmërimeve se në takimin e të enjtes OPEK, e cila i përmbush 40 për qind të nevojave për naftë do të merret vendim për uljen e kuotave për prodhimin ditor.

Zërat e tillë i nxiti presidenti i Venezuelës Ugo Çavez i cili dje deklaroi se OPEK duhet ta ndryshoj kuotën për prodhimin e naftës. Çmimet e naftës tani bien, prandaj ne do të vazhdojmë uljen e prodhimtarisë, deklaroi Çavez.

Prodhimi ditor i naftës në OPEK momentalisht arrin 28,8 milionë barelë. Takimi i kartelit në të cilin do të debatohet për ndryshimin e kuotave ditore të prodhimeve të naftës fillimisht ishte caktuar më 18 nëntor, por sipas uljes më të re të çmimeve të naftes gjatë javës së kaluar, OPEK vendosi që të mbajë seancë të jashtëzakonshme më 24 tetor.