Telegrafi

Sërish fat i keq për Rossin, nuk do të luajë së paku gjashtë muaj

Giuseppe Rossi pësuar një tjetër dëmtim, i cili do ta lë jashtë fushe për një kohë të gjatë. Mesfushori, i cili është i huazuar te Celta Vigo nga Fiorentina, do të mungojë së paku në gjashtë muajt e ardhshëm.

Futbollisti italian e ka dëmtuar ligamentin e përparmë të gjurit të majtë në ndeshjen kundër Eibarit.

30-vjeçari u detyrua ta lëshonte fushën 10 minuta pa përfunduar pjesa e parë, për shkak të këtij lëndimi.

Pasi iu është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, është bërë e ditur se ai duhet të operohet.

“Testet mjekësore kanë treguar se Giuseppe Rossi ka pësuar një rupturë të ligamentit të përparmë krucial të gjurit të majtë”.

“Lojtari do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike dhe do të mungojë minimum gjashtë muaj. Celta i uron Rossit shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e klubit spanjoll. /Telegrafi/