Telegrafi

Serbisë ende nuk i është dërguar kërkesa për njohjen e Kosovës

Ministri Hyseni nuk është i sigurt nëse Serbisë do t’i dërgohet gjatë vitit 2009 ftesa për njohjen e pavarësisë.

"Çështja e njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është çështje më delikate, shumë komplekse dhe nuk besoj që do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Si do që të jetë mos njohja reciproke nuk duhet të pengoj bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët si dy shtete sovrane të pavarura. Ka shumë fusha që të dyja shtetet kanë interes të bashkëpunojnë", tha Hyseni.

Hyseni pret një rritje të shteteve që do të njohin Kosovën në vitin 2009. Vetëm në pjesën e parë të vitit ai pret që numri i njohjeve të arrijë në 70. "Jam i bindur se do të jenë më shumë se 70 shtete, dhe gjithsesi numri i vendeve që do ta njohin Kosovën gjatë vitit që po hyjmë do të jetë numër i madh dhe numër i cili Kosovës përfundimisht do t’i garantoj një proces të sigurt të aplikimit për anëtarësim në të gjitha institucionet kryesore financiare dhe politike ndërkombëtare", vijoi Hyseni.

Kryediplomati pranon se pengesa më e madhe e njohjeve edhe gjatë vitit 2009 do të jetë Serbia e ndihmuar nga Rusia dhe ndonjë shtet tjetër, por kjo nuk do t’i pengoj institucionet që të jenë të suksesshme në proces. /alsat/telegrafi/