Site icon Telegrafi

Serbia, “vëllai” i Kosovës

Xhevat Sefaj

Serbia me të gjitha format është duke e luftuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Sikurse e pengoi pranimin e Kosovës në UNESCO, ajo tentoi të pengojë pranimin e federatave – si ajo e basketbollit në FIBA dhe atë të futbollit në UEFA.

Gjithnjë e më shumë Serbia po e pengon edhe kodin telefonik të Kosovës, edhe pse për këtë është arritur marrëveshja në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Në rastin e pranimit të OEK-ut (Odës ekonomike të Kosovës ) në Eurochambres – Federata e Odave ekonomike të shteteve të Evropës – Serbia jo që nuk kundërshtoi por u gëzua! E, opinioni kosovar ketë herë ishte në heshtje, për ndryshim nga rastet e mëparshme.

Serbia, pos lëvdatave në rrafshin ndërkombëtar, sa i përket Kosovës ia arriti qëllimit të saj politik: pengoi përmes politikës së saj, përmes politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe ndërkombëtarëve, që Kosova dhe Shqipëria të mos jenë një shtet – i bashkuar.

Pavarësisht që Serbia nuk ia arrin qëllimit që Kosovën ta fusë nën ombrellën e saj territoriale, ajo po tenton që Kosova të jetë politikisht e varur, si shteti i dytë me ndikim më të madh të serbëve – jo për nga numri i etnisë, por për nga ndikimi i saj përmes ndihmës së politikanëve shqipfolës.

Kështu, me letra, Serbia në vitin 2015 Kosovës i shiti produkte në vlerë prej rreth 400 milionë dollarë. Ndërsa, Rusisë i shiti mallra në vlerë prej 760 milionë dollarë. Kjo do të thotë se Serbia Rusisë i shiti diçka më pakë se dyfishi i Kosovës, derisa Rusia ka 70 herë e më shumë banorë se Kosova.

Kjo ishte edhe njëra nder arsyet qe Oda ekonomike e Serbisë loboi dhe u gëzua për pranimin e Odës Ekonomike të Kosovës në atë të Evropës, më shumë se edhe vetë Kosova!

Exit mobile version