Site icon Telegrafi

Serbia vazhdon të varet nga gazi rus, çmimi dhe sasia ende të pasigurta

Varësia është fjala që përshkruan më së miri situatën aktuale në Serbi për sektorin e energjisë. Negociatat për çmimin dhe sasinë e gazit që Serbia duhet të marrë nga Rusia janë ende të pasigurta, ndërsa bisedimet mes Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq janë në pritje.

Kjo javë u shpall si çelësi për zgjidhjen e dilemës energjetike se, a do të ketë Serbia gaz dhe me çfarë çmimi? Edhe pse Vuçiq ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë një bisedë telefonike me Putinin për atë temë, mesazhi nga Moska është se telefonata e Beogradit nuk është caktuar ende.

“Ndoshta ai [Putini] nuk do të flasë me mua, do të shohim”, është shprehur presidenti serb.

Gjatë kësaj kohe, Hungaria dhe Serbia zyrtarisht janë pajtuar që kjo e fundit të ruante 500 milionë metra kub gaz në rezervat hungareze.

Lexo po ashtu Lituania bëhet vendi i parë baltik që ndalon importin e të gjitha produkteve të energjisë nga Rusia

Serbia përveç depozitimit do të mund të blejë gaz nga Hungaria, por askush nuk flet për çmimin.

Eksperti i energjetikes Miodrag Kapor është shprehur se varësia nga gazi rus ka qenë “artificiale” dhe e krijuar qëllimisht prej vitesh.

Ai thekson se – nëse Serbia merr një çmim më të lirë të gazit nga Rusia për hir të neutralitetit – çmimi politik mund të jetë i lartë.

“Nëse ne marrim një çmim më të mirë për gazin natyror, nga ana tjetër mund të presim shqetësime dhe të mos harrojmë se gazi natyror vjen përmes territorit të vendeve të NATO-s dhe vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Kapor. /Telegrafi/

Exit mobile version