Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar edhe një herë për investimet që Serbia po i bën në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Hoxhaj, përmes një shkrimi të bërë në Twitter ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i dënojë dhe t’i bllokojë këto veprime destabilizuese të Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Serbia vazhdon projektet kolonizatore për të ndryshuar strukturën etnike në veri të Kosovës. Këto veprime të rrezikshme krijojnë tensione, destabilitet, dhe konflikte etnike. BE-ja duhet të dënojë dhe bllokojë akte të tilla destabilizuese menjëherë”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Ndryshe, sipas planit të qeverisë së Serbisë, investimet më të mëdha do të bëhen për të punësuarit në arsim e në shëndetësi (71 milionë euro), për kompleksin e ndërtimeve “Lugina e Diellit” (25 milionë euro), për “Trepçën” (13 milionë euro), si dhe hapjen e një fabrike të baterive ku sipas planit të tyre aty do të punësohen nga 250 deri në 300 punëtorë. /Telegrafi/