“Marrëveshja me CEFTA-n është në krizë serioze, ndërsa ideja për lidhje ekonomike të rajonit është e vendosur “në njërën këmbë” për shkak të provokimeve të shpeshta nga disa qeveri në rajon”, ka deklaruar sot ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiq.
Rast i tillë siç tha Ljajiq, është çështja e miellit me Maqedoninë, ku ai njoftoi se nëse deri më 14 prill Maqedonia nuk gjen zgjidhje për importin e miellit nga Serbia, të njëjtën ditë ata do të marrin një sërë kundërmasash, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Nëse deri më 14 prill nuk gjejmë zgjidhje, automatikisht të njëjtën ditë do të vendosim kundërmasa. Nuk kemi mekanizëm tjetër dhe kemi qenë mjaft të durueshëm dhe tolerant”, tha Ljajiq.
Sipas tij, Serbia e kupton se Qeveria e Maqedonisë është nën presion nga lobime të ndryshme, por shtoi se Serbia nuk do të durojë “një sjellje të tillë jologjike dhe joekonomike”.
Ai propozoi që edhe Serbia edhe Maqedonia tërësisht t’i largojnë markat, pasi sipas tij, nuk ka nevojë për kontrolle të dyfishta pasi ndërmjet dy shteteve njihen çertifikatat./Telegrafi/