Serbia vazhdon të lobojë kundër Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, ku këtë herë thonë se kanë arritur të parandalojë anëtarësimin e vendit tonë në Organizatën Evropiane të Administratave Tatimore (IOTA).
Kjo u njoftua nga ministri serb i Financave, Sinisha Mali, i cili thotë se është një lajm i mirë për Serbinë.
“Ky është një lajm i mirë për Serbinë, dhe një konfirmim që ne kemi menaxhuar ilegalitetin e institucioneve të Kosovës. Ne kemi treguar se asgjë s’mund të arrihet pa një marrëveshje me Beogradin. Sipas rregullores së IOTA-së, vetëm vendet e pranuara nga OKB mund të jenë anëtare të kësaj organizate”, ka thënë Mali, shkruan IBNA, përcjell Telegrafi.
Kuvendi i Përgjithshëm i IOTA-së u mbajt nga data 1 deri më 5 korrik në Bruksel dhe Kosova nuk mundi të marrë votat e nevojshme për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.
IOTA është një organizate që ofron mbështetje dhe asistencë për shtetet anëtare, për të përparuar në fushën e administrimit të taksave. /Telegrafi/