Telegrafi

Serbia do të ndërrojë ambasadorin në Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq këto dy muajt e fundit ka nënshkruar dekretet për ndërrimin e 12 ambasadorëve, në mesin e të cilëve është edhe ambasadorja e deritanishme në Maqedoni, Dushanka Divjak-Tomiq.

Tomiq është në detyrë në Shkup që prej viti 2010 si këshilltare dhe zv. ambasadore, ndërsa funksionin e ambasadores e ka marrë që nga viti 2013.

Sipas “Fokus” si ambasador i ardhshëm i Serbisë në vendin tonë mund të jetë Rade Bulatoviq, i cili deri më tani ishte ambasador në Kiev, i cili shkoi atje në detyrë pasi që u refuzua nga Turqia.

Bulatoviq është ish-shef i inteligjencës të BIA-s të Serbisë dhe ishte këshilltarë për siguri kombëtare të ish-presidentit Vojsllav Koshtunica.

Më herët për emërimin e Bulatoviq si ambasador të Serbisë në vendin tonë, kanë reaguar nga Aleanca për Shqiptarët të cilët vlerësuan se “emërimi i Rade Bulatoviç, ish-shefit të BIA-s, si ambasador i Serbisë në Shkup do të ishte një provokim i rëndë për Maqedoninë si vend dhe veçanërisht për shqiptarët, për shkak të ngjarjeve të përgjakshme më 27 prill të vitit të kaluar, ku shërbimi i inteligjencës së Serbisë ishte i kyçur drejtpërdrejt në ngjarjet”./Telegrafi/