Site icon Telegrafi

Serbia sjell barna për serbët e Kosovës, dërgesa pret lejen e MSH-së

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe ishte ankuar gjatë javës së kaluar se serbët kanë mbetur pa barna në institucionet paralele shëndetësore të tyre.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ishte duke e trajtuar këtë çështje, Serbia ka dërguar në kufi kamionë me barna.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Falë luftës intensive dhe të gjatë diplomatike, kontingjenti i barnave tona do të dërgohet së shpejti në spitalet e serbëve në Kosovë. Dy kamionë tërheqës dhe një kamion me barnat e nevojshme e solucionet infuzive kanë hyrë në Kosovë mbrëmë dhe pas procedurave do të shpërndahen nëpër institucionet tona shëndetësore”, ka deklaruar Petkoviq.

Por, këto barna akoma nuk kanë arritur në destinacionet brenda Kosovës drejt të cilave ishin nisur.

Dogana e Kosovës i ka treguar Dukagjinit se kjo dërgesë është në mbikëqyrje doganore derisa Ministria e Shëndetësisë të marrë vendim.

“Një dërgesë me barna donacion është deklaruar për zhdoganim pranë Doganës së Kosovës. E njëjta i është nënshtruar aplikimit për lejim importi pranë Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës do të trajtojë këtë kërkesë konform procedurave dhe dispozitave ligjore dhe deri në përfundim, dërgesa mbetët nën mbikëqyrje doganore”, kanë thënë nga Dogana.

Për këtë çështje, Dukagjini ka provuar ta pyes kryeministri Albin Kurti gjatë një aktiviteti ku mori pjesë të shtunën, por ai nuk pranoi pyetje për tema tjera.

Përgjigje televizioni nuk mori as nga zyra e Kurtit në pyetjet e dërguara me shkrim. /RTVDukagjini/

Exit mobile version