Site icon Telegrafi

Serbia s’e ekstradon në Mal të Zi puçistin e dyshuar, Bogiqeviq

Gjykata Speciale në Beograd e hodhi poshtë kërkesën e Malit të Zi për ekstradimin e shtetasit serb, Predrag Bogiqeviq.

Ky i fundit, sipas prokurorisë malazeze, dyshohet se ka marrë pjesë në planifikimin e një puçi kundër Qeverisë në Podgoricë, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, tetorin e kaluar.

Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi ka kërkuar ekstradimin e Bogiqeviqit dhe të shtetasit tjetër serb, Nemanja Ristiq, mbi të njëjtën akuzë.

Më 10 shkurt, drejtësia serbe ka refuzuar kërkesën për ekstradim edhe për Ristiqin.

Prokuroria e Malit të Zi është duke hetuar një grup prej 18 shtetasve serbë dhe dy rusë, ndërsa shumica e tyre janë në paraburgim në Podgoricë.

Ata dyshohet se kanë planifikuar një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, për të sjellë opozitën në pushtet.

Exit mobile version