Site icon Telegrafi

Serbia po manipulon me serbët në Kosovë

Në këtë intervistë, Çeku ka thënë se në Qeverinë e Kosovës ekziston vullnet i mirë për ta njohur pakicën malazeze në Kosovë dhe që malazezët e zhvendosur të kthehen në vatrat e tyre. “Mendoj se arsyeja e vetme dhe pengesa e vetme për kthimin e këtyre personave, është gjendja e keqe ekonomike dhe mundësitë e vogla për punësim… Nuk bëhet më fjalë për siguri, e as për mungesë të vullnetit”, ka thënë ish-kryeministri kosovar, tash lider i Partisë Social-Demokrate.

Çeku ka thënë se për qytetarët e Kosovës kishte rëndësi çdo njohje e shtetit të tyre, mirëpo ka shtuar se, “peshë të veçantë ka pasur njohja nga Mali i Zi”. “E di se nuk ka qenë lehtë – unë i kuptoj specifikat në Mal të Zi, e di se ekzistojnë parti që nuk janë luajale as ndaj vetë pavarësisë së Malit të Zi, mirëpo këtu e përgëzoj mençurinë dhe trimërinë e udhëheqësisë së Malit të Zi”, ka thënë ai.

Lideri i PSD-së ka potencuar se nuk është i lumtur që një pjesë e komunitetit serb është larguar nga Kosova, dhe ka shtuar se sot, shqiptarët dhe serbët nuk jetojnë pranë njëri-tjetrit për shkak të politikës shtetërore të Beogradit. “Beogradi edhe më tutje po manipulon me serbët në Kosovë, dhe nuk i lejon t’i njohin institucionet e Kosovës, por i detyron ata që institucionet e Kosovës t’i konsiderojnë jolegjitime”, ka thënë ai.

Çeku ka shprehur mendimin e tij se, me pavarësinë e Kosovës ka marrë fund kapitulli i ridefinimit të kufijve dhe se kjo nuk do të ndodhë kurrë më në Ballkan. /Telegrafi/

Exit mobile version