Në seancën e së mërkurës, Qeveria e Serbisë mori një vendim për të pezulluar të gjitha stërvitjet ushtarake dhe të gjitha aktivitetet ushtarake me të gjithë partnerët në gjashtë muajt e ardhshëm.
Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, pas seancës së Qeverisë së Serbisë, ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, deklaroi se “Serbia është nën presion të tmerrshëm dhe të pamerituar nga Bashkimi Evropian”.
“Presionet që nuk kanë kuptim dhe nuk bazohen në vendimet tona ose veprimet tona, apo edhe në realitet, janë rezultat i histerisë që përcakton vendimet politike dhe drejtimet e vendeve të mëdha dhe të fuqishme. Na kërkohet të lëmë stërvitjet e planifikuara ushtarake me Bjellorusinë me koston e largimit nga e ardhmja jonë evropiane dhe me koston e një presioni edhe më të madh mbi politikën tonë, por edhe njerëzit tanë në Kosovë dhe Republika Srpska”, tha ministri Vulin, raporton Ministria e Mbrojtjes.
Siç shkruan H1, ai theksoi se Serbia, me vendim të Kuvendit të Serbisë, është një vend ushtarak neutral.
“Në mënyrë që të ruhet pozicioni i neutralitetit ushtarak, të shmangen ose të paktën të zvogëlohen pasojat e sulmeve të intensifikuara ndaj vendit tonë, politikës dhe ekonomisë sonë, Qeveria e Republikës së Serbisë vendosi në seancën e sotme të pezullojë të gjitha stërvitjet ushtarake dhe aktivitetet në gjashtë muajt e ardhshëm me të gjithë partnerët, pa dallim”, theksoi ai.
“Në periudhën e ardhshme, ne nuk do të marrim pjesë në asnjë stërvitje ose aktivitet ushtarak me NATO, Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Kinën, Bashkimi Evropian, Lindjen ose Perëndimin”.
“Pjesëmarrja jonë në operacionet paqeruajtëse do të konsiderohet posaçërisht – dhe, nëse është e nevojshme, do të pezullohet”, ka përfunduar Vulin. /Telegrafi/