Ministri serb i mjedisit, Goran Trivan ka bërë të ditur se në muajt në vazhdim do të formojnë një laborator kombëtar për kërkime shkencore lidhur me pasojat e bombardimeve të NATO-s.
Ai ka shpjeguar se kjo nismë përfshin bashkëpunimin e të gjithë laboratorëve të shtetit të aftë për ta marrë përsipër këtë hetim.
“Nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm të jemi të sigurt se çka ka ndodhur në vitin 1999, por duhet t’i tregojmë gjithë botës se në çfarë përfundime kemi arritur. Ne i kemi borxh publikut një shpjegim mbi atë që ka ndodhur, si dhe mbi pasojat e mundshme”, u shpreh ai për median serbe N1, përcjell Telegrafi.
Si një fakt që janë në rrugën e duhur, ministri serb ka përmendur ushtarët italianë që vuanin nga sëmundje infektuese.
Kur u pyet nëse hetimi do të përfshijë edhe territorin e Kosovës, ai tha se kjo çështje nuk është politike.
“Nganjëherë harrohet se hapësira e Kosovës ka qenë viktima më e madhe e këtyre bombardimeve. Në territoret e bombarduara me uranium të varfër, kanë lindur fëmijë që nuk kanë të bëjnë asgjë me politikë dhe atë çka ka ndodhur në atë kohë, por mund të jenë viktima të asj”, u shpreh Trivan.
Tutje ai e ka cilësuar si të gabueshëm refuzimin e publikut në Kosovë për të folur lidhur me këtë temë.
“Është e qartë se pasojat janë atje. Ne do të provojmë të bëjmë disa hulumtime në Kosovë, sepse kjo nuk është politikë, por është një përkushtim për ambientin”, tha ai.
Në tetorit të vitit të kaluar, tri ministri serbe mbajtën takimin e parë të përbashkët, ku u propozua që të llogariten pasojat e bombardimeve të NATO-s.
Kjo nismë së fundi ka marrë edhe mbështetjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.