Telegrafi

Serbia nuk do që Ballkani të jetë i qetë

Ilustrim

Dihet sa plane ka bërë dhe sa masa ekzekutuese ka përdorë Serbia kundër shqiptarëve: “Naçertania” e Ilia Garashaninit, Projekti i Vlladan Gjorgjeviqit, Projekti i Jovan Cvijiqit, Projekti i Ivo Andriqit, Projekti i Vaso Qubrilloviqit, Projekti i Dobrica Çosiqit, Memorandumi i I-rë dhe i II-të i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (ASShA), Projekti i Sllobodan Millosheviqit… E, në anën tjetër, shqiptarët kurrë nuk kanë pasë e as nuk kanë ndonjë plan kundër asnjë populli fqinj.

Këto ditë dolën një seri dokument(esh), pa autor e pa titull, që diplomacia ndërkombëtare i quan “Non Paper”, bashkë me hartat për caktimin e kufijve të rinj në Ballkan që burimin po del se e kanë te “Francuska 7” në Beograd.

Ai që nuk e sheh veprimtarinë konkrete destabilizuese serbe në Ballkan, nuk ka pse del në TV apo në gazetë, e as të merret me politikë. Çdo akt destabilizues në Kosovë, në Bosnje, në Malin e Zi e në Maqedoni, është veprimtari e shërbimeve serbe dhe paguhet nga Beogradi. Sapo venitet një veprim destabilizues në një shtet, godasin shtetin tjetër fqinj të Serbisë.

Serbia vazhdon veprimtarinë me planet e kartat e moçme, të cilat i fut në veprim ku e sheh çastin e duhur. Beogradi merr edhe donacione nga burimet josekrete. Derisa BE e ledhaton Serbinë, ajo vazhdon kthimin në gjirin e Rusisë. Serbia qëmoti është kandidat për BE por, ajo, në vend që t’ju bashkohet sanksioneve kundër Bjellorusisë, dërgon kontingjent ushtarësh në manovrat e përbashkëta që do të mbahen së shpejti në Rusi. Dihet edhe për pjesëmarrjen e shumë serbëve në radhët e separatistëve rusë që kanë futë në dorë pjesë të madha të territorit të Ukrainës. Dihet edhe se si po këta serbë që shkuan atje, vranë e vodhën gjithçka që ju erdhi në dorë. Vodhën edhe ikona nga kishat ukrainase, si rasti në Lugansk, e që po atë Ikonë ia dhuroi Millorad Dodiku ministrit rus të punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Në një rast tjetër kjo do të ishte temë e madhe, por diplomacia e lartë e BE-së u bë sikur nuk pa asgjë.

Këto ditë foli edhe një herë ish-presidenti slloven, Millan Kucan. Në një deklaratë që i kishte dhënë Radios Evropa e Lirë, e kishte theksuar qartë se BE-ja e di autorin e “Non Paper”-it po nuk e publikon emrin e tij, për shkak të pasojave që mund të rrjedhin. Për habi, asnjë diplomat i niveleve të larta të Evropës, nuk pati kurajë të zë në gojë emrin konkret të autorit të cilin e dinë të gjithë.

Për të pas një pasqyrë më të çartë të gjitha këtyre qëllimeve, duhet pasur parasysh zhvillimet që janë parë e shihen çdo ditë në skenën politike të Ballkanit, e deri të atyre të 150 vjetëve më parë. Diplomacia ndërkombëtare asnjëherë nuk mori masat e duhura ndaj autorit konkret, Serbisë. Edhe tash kur shihet qartë se kush është duke e trazuar paqen e arritur me aq shumë sakrifica e gjakderdhje në Ballkan.

Serbia, edhe pas ndërhyrjes së NATO-s, nuk la gur pa rrotulluar që Ballkani të mos jetë i qetë.