Telegrafi

Serbia nuk po mund t’i “gjejë vend” trenit “Kosova është Serbi”!

Treni, dhuratë nga Rusia për Serbinë, tanimë vazhdon të mbetet “treni më i famshëm në Serbi”.

Për këtë tren, mediat serbe jo që shkruan kur ai u nis për në Kosovë, por edhe sa herë që i ndërrohet destinacioni i tij, gjegjësisht itinerari.

Dhe së fundmi, përcjell Telegrafi, mediat serbe kanë bërë të ditur se ky tren që nga sot do të udhëtojë në relacionin Kralevë – Jagodinë – Kralevë.

Pasi ishte ndaluar për tu futur në Kosovë, ky tren ishte thënë se rregullisht do të transportojë pasagjerë në relacionin Kraljevë – Çaçak – Pozhegë – Uzhicë.

Ky është treni të cilin Serbia tentoi ta fuste për në Kosovë, më 14 janar të këtij vitit dhe i cili në momentin e fundit u ndalë në Rashkë, pas dërgimit të njësive speciale policore të ROSU-s.

Treni përmbante mbishkrime në disa gjuhë të botës, ku shkruhej “Kosova është Serbi”. /Telegrafi/