Site icon Telegrafi

Serbia nuk do të themelojë ndërmarrje sipas ligjeve të Kosovës

Qeveria e Serbisë me siguri nuk do të pranojë që ndërmarrja për furnizim me energji elektrike, pronë e Elektroekonomisë (Elektroprivrede) së Serbisë të themelohet në bazë të ligjeve të Kosovës.

Kështu pohon e përditshmja e Beogradit, “Danas”, t’i ketë thënë drejtori i Elektroekonomisë së Serbiosë, Nikolla Petroviq, i pyetur të komentojë kërkesat e platformës së BE-së nga Kapitulli 35 i negociatave me Serbinë, që i referohet normalizimit të marrëdhënieve të saj me Kosovën.

Në Kapitullin 35 theksohet se duhet të themelohet ndërmarrja për furnizim me energji elektrike “Elektrosever” në përputhje me dispozitat ligjore të Kosovës. Një kërkesë tjetër ka të bëjë me menaxhmentin e hidrosistemit të “Ujëmanit” (“Gazivodës”)

Sipas pohimeve të Petroviqit parashihet që pronar i kësaj ndërmarrjeje për furnizim me energji të jetë Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë Serbe, por meqë Asociacioni nuk ekziston, pronar do të jetë Elektroekonomia e Serbisë, transmeton Koha.net.

“Meqë dokumenti me të cilin Elektroekonomia e Serbisë (EPS) themelon ndonjë ndërmarrje duhet të kalojë nëpër Qeverinë e Serbisë, kërkohet që në atë dokument të shkruajë se ndërmarrja themelohet në bazë të ligjeve të Kosovës. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe një dokument i tillë me siguri nuk do të kalojë në Qeveri”, ka sqaruar Petroviq. /Telegrafi/

Exit mobile version