Site icon Telegrafi

Serbia nën ethet e spiunimeve

Serbinë po e trondisin kohët e fundit aferat e spiunimit. Por a bëhet fjalë vetëm për “luftën gjeopolitike për Serbinë, mes Perëndimit dhe Lindjes”?

E gjitha nisi me zbulimin e një ish-pjestari të “ushtrisë së Republikës Serbe të Krajinës”, tani në pension, i cili ka spiunuar për Kroacinë. E më pas u zbulua që një pjesëtar i Drejtorisë së Kriminalistikës në policinë e Serbisë ka bashkëpunuar me CIA-n. Paralelisht me zbulimin e spiunëve në Beograd, u kap edhe një grup “terrorist” në Mal të Zi, që dyshohet se ka planifikuar rrëzimin e pushtetit në këtë vend. Disa media në Beograd e kanë bërë publik informacionin – e përgënjeshturar nga pala ruse – se disa shtetas rusë janë dëbuar nga Serbia, për shkak të aksioneve terroriste në Mal të Zi. Ndërsa vizita para ca ditësh e kryespiunit rus Nikolaj Petrushin në Beograd u qajt si një dëshmi se “vet kryeshefi ka ardhur për të marrë spiunët e vet”.

Lajmi i fundit nga Serbia është se afër shtëpisë së kryeministrit Aleksandar Vuçiq është gjetur një arsenal armësh. Në lajm thuhet se në një makinë të blinduar në afërsi të shtëpisë së Vuçiqit është gjetur një sasi e madhe armësh, municioni dhe një minahedhës. Koalicioni në pushtet pohon se kjo ishte një përpjekje për atentat kundër Vuçiqit, ndërsa vet kryeministri thotë se duhen pritur rezultatet e hetuesisë. Tani duhet të konstatohet se të kujt janë këto armë dhe a ka pasur lëshime të shërbimeve të sigurimit.

Mungesa e informacioneve dhe shumë spekulime

Pas shumë grusht shteteve mediatike dhe virtuale, si dhe akuzave ndaj Perëndimit dhe shërbimeve sekrete të tij, të cilave “u pengon Vuçiqi i fuqishëm”, opinioni serb është i çoroditur. Autoritetet serbe disa herë kanë qenë viktimë e skenareve të veta dhe lajmeve alarmante që kanë lëshuar vet – që ka rezultuar me përqeshje por edhe shqetësimin e qytetarëve. Gazetari Millosh Vasiq thotë për Deutche Welle-n se disa prej këtyre lajmeve kanë disa shtresa. “I gjithë tregimi rreth Malit të Zi dhe pohimet se është dashur të ndihmohet Milo Gjukanoviqi për të mbetur në pushtet, kanë shkaktuar spekulime. Me sa di unë, shërbimet serbe kanë bashkëpunim të mirë me ato perëndimore, dhe nuk kam vërejtur që pala serbe e ka shpallur person non grata ndonjë diplomat amerikan, që zakonisht bëhet në rastet e tilla. Tani kemi një situatë të paqartë që gjithmonë nxit edhe spekulimet për spiunë, tradhëtarë, të paguar etj.” Edhe Sofija Mandiq ankohet për mungesën e informacioneve të duhura. Ndaj opinioni duhet të interpretojë edhe pohimet e ministrit të Brendshëm.

Terrorizmi pa akuza zyrtare

„Nëse përpiqemi të interpretojmë pohimet për përzierjen e shërbimeve të huaja në aksione terroriste – në Mal të Zi apo në Serbi – atëherë mund të thuhet se kjo nuk është një praktikë e rregullt e spiunimit”, thotë Sofija Mandiq. “Institucionet deri tani nuk kanë nisur asnjë procedurë penale. Ndaj shtrohet pyetja pse dolën në opinion. Këtu kemi mungesë informacionesh. Nëse është e vërtetë që janë dëbuar disa shtetas rusë, atëherë pse nuk është nisur ndonjë procedurë penale?” Millosh Vasiq nënvizon se vizita e Petrushevit ka qenë e planifikuar edhe më parë. Por deri tani nuk ka ndonjë lajm të konfirmuar për vërtetësinë e lajmit të botuar në disa media, nëse ka pasur shtetas rusë të dëbuar nga vendi.

Serbia nuk është edhe aq e rëndësishme

Intensifikimi i aferave të spiunimit është pjesë e interesimit të Perëndimit dhe Lindjes për pozitën gjeostrategjike të Serbisë, thuhet në media. Por Millosh Vasiq është i mendimit se fuqitë e mëdha nuk janë të interesuara për lëkundje serioze dhe probleme të mëdha në këtë vend. “Këto pohime janë vetëm ëndërra të shkreta të nacionalistëve serbë: që Serbia është një vend me rëndësi të madhe gjeostrategjike. Personalisht nuk mendoj që Serbia është ndonjë epiqendër e rëndësishme. Rëndësia jonë e vetme gjeostrategjike është që përmes vendit tonë kalojnë linja të rëndësishme trafiku. Prandaj mendoj se do të ishte më mirë që të kujdesemi për një hekurudhë më të mirë, se sa të merremi me budallallëqe dhe dëbime”. Edhe Sofija Mandiq mendon se vetëm njerëzit në pushtet po përpiqen që Serbisë t’i japin një rëndësi që nuk e ka.

Aferat e spiunimeve dhe aferat e tjera në Serbi zakonisht nuk gjejnë ndonjë epilog. Vasiq thotë se as në këtë rast nuk pritet ndonjë sqarim përfundimtar i gjendjes. “Deri tani nuk kemi asgjë konkrete. Kemi vetëm pohime dhe pretendime, ngritje tensionesh dhe nuk dihet asgjë konkretisht për ngjarjet siç janë pohimet për ndonjë grusht shteti në Mal të zi apo veprimin e spiunëve në Serbi”./DW/

Exit mobile version