Para Serbisë, kur është fjala për Kosovën, është vendosur një ultimatum i vështirë dhe i rëndë për shkak se i kërkohet që të heqë dorë nga pronësia e Telekomit të Serbisë në Kosovë.
Kjo është deklaruar nga Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, duke shtuar se Beogradi deri të dielën duhet të vendosë nëse pranon ose jo “projektmarrëveshjen për telekomunikacionin”, transmeton Telegrafi.
Gjuriq para gazetarëve ka thënë se në bindjen e tij ky ultimatum është i papranueshëm dhe se as si negociator dhe as si serb nuk mund të pranojë që Serbia të heqë dorë nga pronat e saj në Kosovë.
Madje ka shtuar ai, nëse qeveria e Serbisë nga e cila është duke u mbështetur pa rezervë, megjithatë vendos ndryshe, ai do të jetë i detyruar që të lë postin e kryenegociatorit me Prishtinën dhe atë të drejtorit të Zyrës për Kosovën.
“Nga ne kërkohet që të heqim dorë nga prona jonë, kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, dhe për më tepër që të pranojmë se kjo pasuri nuk është me e jona dhe se i përket institucioneve të vetëshpallura, jolegale, të shtetit të rrejshëm në Prishtinë”, ka thënë Gjuriq.
Sipas tij, përcjell Telegrafi, në qeverinë e Serbisë janë zhvilluar diskutime serioze dhe të vështira rreth asaj se si të vazhdohet në këtë drejtim.
Delegacioni i Beogradit i udhëhequr nga Marko Gjuriq javën e kaluar zhvilloi bisedimet me Prishtinën në Bruksel për zbatimin e marrëveshjeve të telekomunikacionit dhe Gjuriq thotë se “diçka shumë e çuditshme ka ndodhur”, kur gjatë natës në mes të enjtes dhe të premtes”, “dokumenti i cili po qëndronte para nesh u ndryshua krejtësisht”.
“Kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht. Është e qartë se një i huaj, dikush që nuk është as BE-ja e as nga Prishtinë ka ndërhyrë që këto biseda të jenë të pasuksesshme, ndoshta për të arritur ndonjë qëllim politik dhe për t’i bërë Serbisë ndonjë presion të paekspozuar deri më tani”, ka thënë Gjuriq.
Kur u pyet se kush dhe kur e ka dërguar një ultimatum të tillë ndaj Serbisë, Gjuriq ka thënë se kjo ka ndodhur në dy apo tre ditët e fundit, si pjesë e bisedave të zhvilluara në Bruksel javën e kaluar, si dhe diskutimeve që kryeministri kohët e fundit ka pasur me zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë. /Telegrafi/