Telegrafi

Serbia ndaloi shfaqjen e filmave shqip në Bujanoc, Çeku: E paprecedent dhe e papranueshme

Hajrulla Çeku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi autoritetet serbe kanë ndaluar shfaqjen e dy filmave shqip në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.

Çeku këtë rast të së premtes e ka cilësuar si të paprecedent dhe të papranueshëm.

“I paprecedent dhe i papranueshëm rasti i mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave”, ka shkruar ministri në Facebook.

Lexo po ashtu Lirohet drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili

Sipas tij, pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe kanë ndaluar shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës.

“Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mos-durim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë”, ka shkruar mes tjerash Çeku.

“Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”.

Lexo po ashtu Mustafi: Intimidimi dhe frikësimi nga Policia e Vuçiqit për t'i ndaluar shfaqjet artistike është i paprecedent

Ai në fund ka theksuar se ky ka qenë njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i ka mbështetur financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës”, ka përfunduar ministri./Telegrafi/