Kosova vazhdon të eksportojë para të gatshme, për shkak të mungesës së prodhimit vendor. Vetëm gjatë vitit 2014, nga Kosova kanë dalë 2 miliardë e 213 milionë euro para kesh, shkruan sot Koha Ditore
Kaq në të vërtetë është dallimi në mes të importit dhe eksportit, që në gjuhën ekonomike njihet si deficiti tregtar. Totali i eksporteve në vitin 2014 ka qenë 324.5 milionë euro. E importi ishte 2 miliardë e 538 milionë euro.
“Eksporti mbulon importin për vetëm 12.8 për qind”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave për Bilancin tregtar të vitit 2014.
Në rritjen e importit ka ndikuar rritja e konsumit, përcjell koha.net. E rritja e konsumit ka ndodhur për shkak të rritjes së pagave prej 25 për qind në sektorin publik dhe rritjen e remitencave, apo dërgesat nga jashtë.
Nga kjo rritje e konsumit ka përfituar më së shumti Serbia. Gjatë vitit 2014 rritja më e madhe e importit ka ardhur nga Serbia. Shitja e prodhimeve serbe në Kosovë është rritur për rreth 30 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Vlera e mallrave që janë importuar nga Serbia në vitin 2014 ka qenë 368 milionë euro, apo një rritje prej 83 milionë eurosh. Në vitin 2013, vlera e importeve nga Serbia kishte qenë 285 milionë euro. Kjo është rritja më e madhe e tregtisë me Serbinë, pasi në të kaluarën ishte mbajtur një status-quo sa i përket shifrës së importit nga Serbia. /Telegrafi/