Site icon Telegrafi

Serbia kërkon të pengohet anëtarësimi i Kosovës në Interpol

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, u takuan sot për bisedime për vazhdimin dhe forcimin e përpjekjeve të përbashkëta në planin e kundërshtimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Kështu bëhet me dije në një kumtesë për media, të cilën e transmetojnë mediat serbe.

Sipas të njëjtës, mes dy ministrave është diskutuar për rezultatet e arritura deri më tash dhe është pajtuar për masa tjera strategjike dhe koordinimin për të penguar hyrjen e Kosovës në INTERPOL.

Gjatë muajit prill, Serbia kërkoi që personat, të cilët janë vënë në ndjekje ndërkombëtare nga autoritetet serbe, të kthehen në sistemin e Interpolit.

Autoritetet serbe, gjithashtu kërkuan nga vendet anëtare të Interpolit që të mos e pranojnë Kosovën në këtë organizatë.

“Si një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme kam kërkuar që të gjithë personat, të cilët janë vënë në listën e ndërkombëtare të ndjekjes nga autoritetet gjyqësore serbe, pa kushte të kthehet në sistemin e Interpolit”, ka thënë drejtori i Policisë së Serbisë, Vladimir Rebiç, pas bisedimeve të ndara me presidentin Meng Hongwei dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Jürgen Stock, raporton “B92”, përcjell Telegrafi.

Ndërkaq, Serbia në vazhdimësi lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Në sajë të aktiviteteve diplomatike të Serbisë dhe ndihmës së vendeve të veçanta kryesisht Rusisë, Kosova nuk ka arritur të bëhet anëtare e OKB-së, Këshillit të Evropës e as UNESCO-s. /Telegrafi/

Exit mobile version