Bisedat “teknike” dhe planet e reja serbe për Kosovën
Pas mendimit pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës dhe pas paralajmërimit të ashtuquajturave biseda “teknike” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kjo e fundit nuk po tregon qasje konstruktive, por përpjekjet e saj janë destruktive dhe një manipulim i hapur si karshi opinionit të vet, ashtu edhe atij më të gjerë. Beogradi, pas goditjes nga GJND-ja, assesi të këndellet dhe të pranojë normat ndërkombëtare në të cilat ishte thirrur një kohë të gjatë. Bota demokratike kishte shfaqur mendimin pro së drejtës së Kosovës për shtet, ndërsa e vetmja Serbia me disa shtete që në esencë kanë orientime etno-fashist janë kundër së drejtës së Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
Pesë shtetet e BE-së si, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, edhe pas mendimit të GJND-së nuk kanë ndërruar kursin politik ndaj Kosovës. Kjo nënkupton se këto shtete janë problemi i BE-së dhe nuk mund ndryshe të trajtohen. Ndoshta BE-ja është ngutur në pranimin e tyre, sepse të synosh kritere të larta humane e njerëzore, ndërsa në anën tjetër të thyesh këto të drejta në shtetet e tyre kjo nuk ka kuptim për politikën e tyre, por as për BE-në. Andaj, ky rast në të ardhmen duhet t’i shërbejë BE-së që karshi thyesve të parimit të lirisë, demokracisë e pavarësisë së popujve të merrem masa të duhura dhe këto vende të detyrohen të ndërrojnë kursin politik.
Beogradi i inkurajuar nga mosveprimi i BE-së, por edhe destrkutiviteti i disa vendeve anëtare të KS të OKB-së po vazhdon me avazin e vjetër, planet e vjetra dhe të reja për Kosovën. Beogradi karshi Kosovës kishte plane të ndryshme për një shekull pandërprerë, por për fat të mirë kurrë nuk u realizuan. Planet e tyre kundër Kosovës kishin data të vjetra, por edhe personazhe të ndryshme. Ato datojnë nga Çubrilloviqët, Garashaninët, Andriqët, Qosiqët, Shesheloviqët, Millosheviqët, Gjingjiqët, Koshtunicët, ndërsa “sihariqi” më i ri serb vjen nga presidenti aktual serb Boris Tadiq. Plani i tij “autonomi prej 1 deri 100” është një plan i të marrëve dhe vetëm ata dinë të hartojnë plane të tilla.
Por, jo vetëm kaq, Boris Tadiq me kompani, për fat të keq të pagëzuar nga perëndimi, si Qeveri demokratike në fokus të betejës së tyre të ardhshme për Kosovën, si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por edhe gjetiu do të vazhdojnë me të gjitha planet e mundshme dhe të pamundshme kundër Kosovës. Beogradi, definitivisht as më pak e as më shumë nga faktori ndërkombëtar kërkon 30 për qind të territorit të Kosovës, si zgjidhje e tyre politike dhe si i ashtuquajtur kompromis politik. Të gjitha planet tjera janë të kamufluara pas këtij projekti, pra atë çfarë paraardhësit e tij nuk kishin mundur të arrijnë edhe me luftë e gjenocid, kjo politikë e re serbe dëshiron të arrijë me mjete “demokratike”.
Beogradi jo rastësisht kërkon pjesën veriore të Kosovës, pjesën më të pasur të saj, në të cilën gjendet gjiganti Trepça, i cili zë vendin e dytë me xehe në Evropë. Gjithashtu, interesi i Beogradit është edhe lidhja e vendbanimeve serbe në jug të Kosovës, sidomos në formimin e të ashtuquajtura komuna të decentralizuara dhe kreatura të një mini-shtete serbe në Kosovë. Kjo kreaturë politike do t’i shërbente më vonë Beogradit për destabilitet dhe pazare të ndryshme politike në dëm të shtetit të Kosovës.
Të gjithë e dinë brengosjen e Beogradit për 600 mijë serbët e Kroacisë dhe 500 mijë serbët e Bosnjës, të cilët tashmë janë shpërndarë nëpër Serbi, por edhe nëpër shumë vende të botës si refugjatë për shkak të pasojave të politikës fashiste serbe ndaj popujve tjerë të Ballkanit. Një “brengosje” të tillë e kanë edhe për serbët e Kosovës dhe rezultati tashmë është duke u parë. Humbja e arsyes së shëndoshë politike dhe shtimi i urrejtjes sjell vetëm fatkeqësi, vetëshkatërrim dhe asgjë tjetër.
Beogradi kërkon 31 miliardë $ në shkëmbim të njohjen së Kosovës
Kohën e fundit, disa mediume serbe njoftojnë se në rast të dështimit të radhës në KS të OKB-së, Beogradi ka përgatitur një plan tjetër sekret, i cili në këmbim të Kosovës nga SHBA-ja dhe faktorët tjerë relevantë do të kërkojë hiç më pak se 31 miliardë dollarë, si kompensim për shlyerjen e borxhit të jashtëm të këtij shteti.
Në një raport të IZIT ( Instituti për Hulumtimin e Tregtisë) thuhet se ky plan tashmë është në tryezë të presidentit serb Boris Tadiq, të cilin do ta përdorë në fund të kësaj loje. Këtu përmendet se borxhi i ish-Jugosllavisë para shkatërrimit të saj ishte rreth 22 miliardë dollarë, por me fillimin e krizave të një pas njëshme pas vitit 1990 ishte rritur në 121 miliardë dollarë. Vetëm Serbia ka mbi 31 miliardë dollarë, ndërsa Kosova kishte mbi 1 miliardë dollarë. Kohë më parë, me kërkesë të Beogradit, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Banka Botërore kishte shlyer borxhin e Kosovës në vlerë prej 550 milionë dollarësh, sepse Beogradi arsyetohej se ky vend nuk është në ingerencat e shtetit serb.
Cinizmi dhe dyfytyrësia e politikës serbe shkon aq larg sa që kur janë në pyetje parat nuk hezitojnë të thonë se Kosova nuk është pjesë e tyre, ndërsa në Kushtetutën e tyre ajo ende trajtohet si pjesë përbërëse e Serbisë. Kjo poshtërsi politike e njerëzore bëhet vetëm në politikën e Beogradit dhe është dëshmuar edhe më herët, sidomos me rastin e dorëzimit të Millosheqit në Hagë. Kjo klasë politike serbe nuk e kishte dorëzuar Millosheviqin në Hagë për krimet që kishte bërë ndaj popujve të ish-Jugosllavisë, por për shpërblimin prej 5 milionë eurosh që i kishte dedikuar CIA dhe faktorët tjerë ndërkombëtar. Kjo tregon jo vetëm nivelin e ultë të një këste politike, por edhe strukturën krimogene të saj dhe gjenetikën e tyre të grabitqarëve kundrejt pasurisë së të tjerëve.
Më tej, ky Institut (IZIT) tregon se borxhi i jashtëm i Kosovës, tashmë është rreth 630 milionë dollarë, ndërsa Beogradi nuk dëshiron të merret me to. Kurse, borxhi jashtëm i Serbisë është rreth 31 miliardë dollarë, apo rreth 4000-5000 dollarë për kokë banori. Serbia renditet në rendin e vendeve më të ngarkuara me borxhe të jashtme në botë.
Ky shtet tashmë ka një krizë të thellë ekonomike, si për shkak të inflacionit të përditshëm dhe nënvlerësimit të dinarit, por dita e ditës po përjeton një shkatërrim të madh ekonomik. Të gjitha resurset e saj ekonomike janë në fazën e privatizimit, apo shitjes dhe ato po blihen nga investues të huaj. Ky vend, për veç tjerash, po përballet me një natalitet shumë të ulët, shumë vendbanime serbe janë të boshatisura, ndërsa të rinjtë në numër të madh po ikin jashtë vendit për shkak të paperspektivës. Papunësia, krimi, korrupsioni i lartë, jo stabilitetiti politik dhe mungesa e perspektives për të ardhmen janë faktorët kryesorë që po e dëmtojnë këtë shtet. Dhe, sipas një reviste amerikane e përpiluar në bazë të 12 kritereve, Serbia së bashku me Rusinë, Kinën dhe disa shtete tjera gjendet në grupin e shteteve “në rrezik” si për nga situata ekonomike, gjendje e sigurisë, të drejtat e njeriut etj.
Atëherë, jo rastësisht ky shtet pas vendimit të GJND-së bishtnon mendimin pozitiv për pavarësinë e Kosovës dhe tenton të përdorë shprehjet mbi secesionin e Kosovës, e cila për pasojë duhet të kishte dhënien e llogarisë financiare. Të gjitha këto analiza janë pjesë e planit të Tadiqit përballë SHBA-ve, Kosovës dhe faktorëve relevantë ndërkombëtar. Andaj, Beogradi ka nevojë shumë për para nga Kosova dhe për kuriozitet vetëm gjatë vitit 2009 nga Kosova në tregun e Serbisë janë derdhur më shumë se 200 milionë euro.
Kosova është treg shumë i volitshëm për Beogradin dhe përpjekjet në këtë drejtim do të jenë të vazhdueshme dhe të shtuara, sepse për mes këtij tregtimi mban ndikim e saj politik. Në përkrahje të këtij plani janë shumë ekspert dhe ekonomistë serb dhe tashmë kanë këshilluar presidentin Tadiq që ky plan të ketë një qasje serioze në bisedimet e ardhshme. Bisedat e ashtuquajtura “teknike” nuk do të jenë vetëm të natyrës “teknike”, por të llojllojshme dhe vetëm Zoti e dinë sa do të zgjasin. Por, a do të pranojë Kosova këtë ofertë serbe, që të paguaj 31 miliardë dollarë në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së saj, si dhe bisedat e pafundme me Beogradin mbetet të shihet në të ardhmen?!