Telegrafi

Serbia heq dorë nga organizimi i zgjedhjeve në Kosovë, do të votohet në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ) në Serbi ka njoftuar sonte se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, kështu që votuesit nga Kosova do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Siç shkruan “Danas”, kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, ka thënë se ata i kanë dërguar një letër Zyrës për Kosovë për mënyrat se si të mundësohet votimi në zgjedhjet e Serbisë për votuesit nga Kosova.

“Ne jemi njoftuar nga zyra se nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë që do të ishte në përputhje me rregullat ligjore, sepse institucionet e Kosovës të kryesuara nga Albin Kurti e kushtëzojnë votimin me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të refuzojë të sigurojë funksionimin e OSBE-së, e cila ndihmon në organizimin e zgjedhjeve që nga viti 2012”, tha Dimitrijeviq, transmeton Telegrafi.

Anëtari i KRZ-së Nemanja Stankoviq propozoi që KRZ t’i drejtohet Qeverisë së Serbisë për të kontaktuar UNMIK-un dhe autoritetet e tjera dhe se ata nuk duhet të heqin dorë lehtë nga votimet në Kosovë.

Anëtari tjetër i KRZ, Miroslav Vasiq, tha se nuk është e qartë se kujt i është drejtuar Zyra për Kosovë dhe çfarë përgjigje ka marrë, por se ekzistojnë garantues ndërkombëtarë të marrëveshjeve të ndryshme dhe se nuk duhet të kalohet lehtë nga kjo zhvendosje e vendvotimeve.

Ndërsa Zheljka Radeta tha se deri në vitin 2022, OSBE kishte rol në zgjedhje, por tani nuk e ka më një të tillë, kurse Zyra për Kosovë në letrën e saj ka treguar arsyet pse nuk ka mundësi të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë dhe se zhvendosje e vendvotimeve [në Serbi] ishte “vendimi i vetëm i mundshëm dhe i drejtë”. /Telegrafi/