Telegrafi

Serbia flet për modelin e Hong Kongut në Vjenë, Kosova është kundër

Dy drejtuesit e Ekipit Negociator serb, kryetari dhe kryeministri i Serbisë, Boris Tadiq e Vojisllav Koshtunica, kanë kërkuar që të shqyrtohet propozimi i Serbisë për autonomi substanciale të Kosovës dhe i njëjti të krahasohet me marrëveshjen për statusin e Hong Kongut, si njësi e veçantë administrative, brenda territorit kinez.

Ky model, sipas Tadiqit, “ofron elemente për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, në një mënyrë që do t’i konvenonte stabilitetit dhe integritetit evropian të regjionit”.

Megjithatë, pala kosovare ka vlerësuar se ky model është plotësisht i pazbatueshëm në rastin e Kosovës. “Këto janë propozime tërësisht konfuze”, ka thënë për media pas takimit, Skënder Hyseni, zëdhënës i Ekipit Negociator të Kosovës, duke njoftuar për vlerësimin e palës kosovare se edhe në këtë takim nuk ka pasur kurrfarë përparimesh.

"Nuk mund të njoftoj për përparime të arritura në këtë takim. Është vlerësim i keq i Beogradit se bëhet fjalë për procesin e ruajtjes së sovranitetit të Serbisë”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se Serbia ka dalë me propozime të cilat, “nuk paraqesin zgjidhje, po në rastin më të mirë, gjysmë-zgjidhje”.

"Kosova është kundër zgjidhjeve gjysmake dhe angazhohet për zgjidhje ekskluzivisht të qëndrueshme”, është shprehur Hyseni, për të rikujtuar qëndrimin e ekipit kosovar se, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën është pavarësia e saj.