Site icon Telegrafi

Serbia ende nuk ka udhëzime për të votuar në Kosovë

Miodrag Milosavljeviq, banor në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se ai rregullisht voton si në zgjedhjet parlamentare qeveritare të Kosovës po ashtu edhe në ato ku zgjidhet parlamenti dhe qeveria në Serbi.

Ai planifikoi të votojë edhe më 21 qershor në zgjedhjet që do të mbahen në Serbi.

Në më pak se dy javë para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Komisioni Zgjedhor i Republikës ende nuk ka publikuar udhëzimin se si do të bëhet votimi për deputetët në territorin e Kosovës.

Ende nuk është siguruar asnjë informacion i saktë nga ana e misioneve të huaja, as nga Qeveria e Kosovës, as nga përfaqësuesit e autoriteteve lokale në zonat serbe, kështu që praktikisht nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që votimi në Kosovë do të ndodhë fare.

I vetmi vendim zyrtar i shpallur deri më tani është që nga 8,386 vendvotime ku do të zhvillohet votimi, 90 prej tyre janë në Kosovë, njëjtë si në vitet e kaluara.

Edhe pas kërkimeve nga ana e Radios Evropa e Lirë, deri më tani nuk kemi marrë shumë informacion nga ana e Komisionit të Zgjedhur të Republikës në Serbi se si do të zhvillohet votimi, dhe kush do të kontrollojë e sigurojë materialet zgjedhore dhe vendvotimet, si dhe ku do të numërohen votat pas mbylljes.

Por, Miodrag Milosavleviq nga Mitrovica e Veriut është i sigurt se zgjedhjet do të mbahen, njëjt siç janë mbajtur edhe në vitet e kaluara, bazuar në Marrëveshjen e vitit 2012 në zgjedhjet për parlamentin dhe Presidentin e Serbisë, ku misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka ndërmjetësuar në Kosovë.

Edhe Zoran Jevtoviq, qytetar nga Mitrovica e Veriut thotë se shpreson që votimet do të mbahen, përndryshe në rast se nuk do të mbaheshin atëherë sipas tij, kjo gjë do të ishte mosrespektim i demokracisë. Në ndërkohë, megjithëse zgjedhjet nuk janë konfirmuar ende, vendosja e posterave të partive që do të marrin pjesë në zgjedhje, veçse ka filluar në veri të Kosovës.

OSBE: Jemi në pritje të vendimit përfundimtar të qeverive të Serbisë dhe Kosovës

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), e cila u hap më 8 qershor zyrtarisht për vlerësimin e zgjedhjeve në Serbi, tha për Radion Evropa e Lirë se ata “nuk vëzhgojnë në Kosovë, por bëjnë përgatitjet administrative nga autoritetet serbe“ dhe që ODIHR nuk është i përfshirë në mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, kështu që nuk kanë asnjë koment mbi procesin.

Senad Shaboviç, zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, tha se janë “në komunikim me qeverinë e Serbisë dhe Kosovës dhe se ata janë në pritje të vendimit përfundimtar“.

Kreu i misionit të OSBE-së në Prishtinë, ambasadori Jan Braathu, u takua me kryeministrin e sapo zgjedhur të Kosovës, Avdullah Hotin të martën më 9 qershor.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se situata e përgjithshme politike në Kosovë dhe “thellimi i bashkëpunimit në të ardhmen“ ishin temë e diskutimit në takim. Sidoqoftë, nuk u përmend nëse është folur për zgjedhjet parlamentare serbe në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nuk u përgjigjën në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se nëse do të mbahet votimi në Kosovë.

Partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, Lista Serbe, nuk u përgjigjën në pyetjet tona në lidhje me organizmin e zgjedhjeve.

Kujtojmë se ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fund të majit (më 28) deklaroi se Kosova nuk kishte marrë kërkesë nga Beogradi zyrtar për të mbajtur zgjedhjet serbe në Kosovë. Sidoqoftë, qëndrimi i tij është se zgjedhjet serbe në Kosovë “nuk u mbajtën kurrë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës“.

“Ne do të zbatojmë dhe mbrojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Kurti, në atë kohë.

Mënyra e tanishme e mbajtjes së zgjedhjeve është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë që nga qershori i vitit 2016, sipas të cilit mënyra e mëparshme e mbledhjes së votave në Kosovë -të cilat OSBE-ja i transporton në qytetet e afërta të Vranjës dhe Rashkës në Serbi, pas numërimit- nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Përkundër kësaj, zgjedhjet për presidentin e Serbisë në prill të vitit 2017 u mbajtën në të njëjtën mënyrë. Pas mbylljes së qendrave të votimit, votat nga Kosova u dërguan në qytete të cilat janë dhjetëra kilometra larg. Ky model, i cili u harmonizua me OSBE-në, por që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e vlerësoi si anti-kushtetuese, u kritikua nga opozita serbe sepse sipas tyre kjo gjë bëri që “të njihet shtetësia e Kosovës“.

Nëse do të zbatohet i njëjti parim i votimit dhe numërimit të votave më 21 qershor, duhet të shkruhet në udhëzimin që pritet të miratohet nga Komisioni Zgjedhor i Republikës, siç bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, Zyra për Kosovën në Qqeverinë e Serbisë, zyrë kjo e cila është e autorizuar për të mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Shtetasit serbë që jetojnë në vendet e tjera, mund të votojnë në ambasada./rel/Telegrafi/

Exit mobile version