Site icon Telegrafi

Serbia e zemëruar

Serbia e tërhoqi për konsultime në Beograd, gjithë personelin dhe e la bosh ndërtesën e Ambasadës së vet në Shkup. Deklaratat se kjo po bëhet për shkak të mundësisë që Maqedonia të përkrah anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, po mbizotërojnë në mediat serbe edhe pse presidenti serb deklaron të ketë pasur veprime të kundërzbulimit nga ana e shërbimeve sekrete të Maqedonisë, në drejtim të institucioneve të Serbisë, dhe se këto masa janë ndërmarrë për të mbrojtur interesat e Serbisë. Çfarë po ndodhë me marrëdhëniet speciale serbo-maqedonase?

Një incident diplomatik, disa muaj më parë në Maqedoni, si duket shpalosi kuptimin e vërtetë të këtyre marrëdhënieve në mes dy vendeve në të kaluarën dhe ngjalli debatet për qëllimet e fshehta dhe operacionet e fshehta ndaj njëri-tjetrit, si dhe përpjekjet për të ndërruar kursin e qeverisë maqedonase. Në anën tjetër, kjo gjuhë dhe kjo formë e veprimit , sikur nuk shkon me tendencat serbe që të relaksojë marrëdhëniet me krejt fqinjët dhe që ata të jenë (bashkë)kreatorët e Ballkanit të ri – perëndimor, si po e quajnë zakonisht këtë rajon – i cili ka mbetur një copë toke e izoluar brenda territorit të BE-së dhe brenda zonës së sigurisë që e kontrollon NATO.

Sidomos përparimet në marrëdhëniet me Shqipërinë premtonin një qasje ndryshe edhe ndaj tjerëve e sidomos ndaj Maqedonisë e cila, për dallim nga të tjerët, ishte republika e vetme e ish-Jugosllavisë nga e cila Armata jugosllave u tërhoq pa luftë, qysh në fillim, çka dëshmonte për marrëdhëniet speciale mes Serbisë dhe Maqedonisë, sidomos në raport me faktorin shqiptarë në rajon.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, qysh e dimë, e ka deklaruar mik kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Madje ka thënë se Rama është edhe politikan më i mirë se ai. Edhe Edi ka shprehur ndjeshmëri për vuajtjet e presidentit të ri serb, qysh derisa ai ishte kryeministër. Definitivisht ka kimi në mes tyre, po reagojnë pa i fshehur emocionet. Padyshim se ka edhe teatër politik këtu, por në fund të fundit kush do të besonte në një “dashuri” të sinqertë mes armiqsh shekullorë, po të mos ishte gjeopolitika dhe paralajmërimet se Serbia po ndërron kurs në raport me Rusinë dhe perëndimin.

Tash nuk duhet tepruar me fjalë, sepse dorën në zemër nuk ka thënë të jenë miq për kokë, por miqësisë mes shqiptarëve dhe serbëve nuk duhet parë dhëmbët sido që të jetë ajo; ajo është hap i madh përpara për krejt Ballkanin, i cili po përpiqet të dalë nga vorbulla historike e konflikteve, të cilat si edhe kemi mësuar nëpër librat e shkollës, dhe jo vetëm në libra, i ndez vazhdimisht dikush tjetër, për të përçarë dhe përfituar.

“Dashuria” politike shqiptaro-serbe, gjithsesi u rekomandohet gjithë të tjerëve në Ballkan si model, edhe pse ajo ende mbetet në nivelin më të lartë, pa e përfshirë edhe masën. Në fakt, në marrëdhëniet e brendshme me shqiptarët, presidenti serb nuk duket të ketë shprehur këtë “emocion” të ri ndaj shqiptarëve edhe ndaj drejtuesve të “Luginës e Preshevës” e cila kërkon drejta të njëjta me komunitetin serb në Kosovë. Sido që të jetë, mesazhet e të gjitha takimeve shqiptaro-serbe janë marrëdhëniet e reja në mes popujve dhe shteteve në rajon, ndërkohë që bosht kurrizor të konjukturës së re i shohin pikërisht marrëdhëniet në mes dy popujve të mëdhenj, pra shqiptarëve dhe serbëve. Modeli i tejkalimit të armiqësive, Rama-Vuçiq, padyshim do të duhej të shërbente si pikënisje edhe për popujt dhe problemet e tjera në rajon dhe çdo suksesi në këtë drejtim do të duhej t’u gëzoheshin edhe dy të “dashuruarit”.

Për koincidencë, kur po zinte fill kjo “dashuri” politike, e bazuar në konceptin se rruga e vetme për shqiptarët e serbët është ajo evropiane, në Maqedoni ishte duke qeverisur një parti proruse dhe proserbe, e cila dyshohej se në të gjitha konfliktet e brendshme me shqiptarët jo vetëm se konsultohej me Serbinë dhe Rusinë, por se edhe përmes zonës kufitare dyshohej të kishte edhe lëvizje të trupave speciale serbe të cilat u vinin në ndihmë Maqedonasve kurdo që kërkohej ndërhyrje e ashpër dhe e fuqishme, për çka vet institucionet e sigurisë maqedonase nuk kishin kapacitete.

Pra, kështu, Serbia, duke krijuar marrëdhënie të reja me shqiptarët, në kohën që në Maqedoni filluan të hapen aferat e qeverisjes VMRO-së, të dridhej një regjim antievropian dhe antishqiptar; kur populli i udhëhequr nga LSDM me orientim proevropian kishte dalë në rrugë, i shqetësoi seriozisht nacionalistët maqedonas dhe sponsorët të cilët e kishin të qartë se të vetëm nuk arrijnë të përballen me shqiptarët e atjeshëm të cilët në bashkëpunim me BE dhe SHBA, fillimisht përmes Marrëveshjes së Ohrit, po i thyenin marrëdhëniet e paqëndrueshme antishqiptare, e rrjedhimisht edhe anti-NATO dhe anti-BE.

Të mësuar nga rasti i Malit të Zi, i cili para se të hynte në NATO dhe të hapte kështu rrugën edhe për kyçje më të shpejtë në BE, ishte dashur të spastrojë jo vetëm politikën po edhe institucionet e sigurisë (Armatën, Policinë dhe shërbimet) nga njerëzit e Serbisë dhe Rusisë, shqetësimi i regjimit në Maqedoni u bë serioz dhe veprimet e tij të pamatura.

Kjo u shpërfaq në ngjarjet dramatike rreth konstituivit të Parlamentit të Maqedonisë. Prezenca e shërbimeve sekrete serbe në vandalizmin dhe dhunën në Parlamentin e Maqedonisë, nxitur dhe zhvilluar nga VMRO mbi një platformë antishqiptare të rrezikut nga “platforma e Tiranës”, doli sheshit pas hetimeve të dhunës ndaj deputetëve që po formonin koalicionin e ri proevropian në mes LSDM-së dhe partive shqiptare.

Pra, këto ditë, Serbia tërhoqi personelin e saj nga ambasada në Shkup. Përcjell me (as)pak shpjegime, opinioni u njoftua vetëm se ndoshta pas dhjetë ditësh do të krijohen rrethanat që një pjesë e stafit të rikthehet në Shkup, pa e përfshirë këtu ambasadorin serb. Deklaratat se Ambasada ishte përgjuar nga shërbimet sekrete maqedonase nuk tingëllojnë aspak çuditshëm dhe madje as të papritura pas aferës me oficerin e implikuar të BIA-s në ngjarjet rreth Parlamentit, por tërheqja e gjithë personelit, me deklarata për kthimin e mundshëm pas 10 ditësh, tregon për diçka tjetër se, në fakt, Qeveria e re maqedonase po bashkëpunon me Perëndimin për të krijuar parakushtet për t’u kyçur në NATO dhe në BE sa më shpejt dhe kjo na jep zhvillime të ngjashme me ato në Malin e Zi para anëtarësimit në NATO: pra, spastrim i linjave të ndikimit rus dhe segmenteve të shërbimeve sekrete serbe që janë më shumë nën ndikim të rusëve sesa vet Qeverisë së tyre.

Kjo, duke marrë parasysh edhe orientimin e Qeverisë serbe dhe telashet e saj me vijat ekstreme dhe konservatore në struktura të sigurisë, duket një rast i mirë që edhe ata të konsolidojnë përfaqësimin e tyre në Ambasadën e vet në Shkup i cili, jo rastësisht, konsiderohet të jetë qendër e veprimeve jokonvencionale për rajonin.

Krejt kjo ngjarje, e deklaruar pak a shumë si reagim ndaj mundësisë që Maqedonia të jetë mbështetje e fuqishme pro aderimit të Kosovës në UNESCO, duket të jetë një inskenim i furtunës në një gotë me ujë, përpara se ajo të ndodhë në realitet, dhe një shfrytëzim i rrezikut potencial për të spastruar institucionet e tyre nga krijuesit e krizave në Maqedoni, Kosovë, e madje edhe vet Serbinë, dhe për të çmontuar konjukturën antishqiptare dhe antieuroatlantike atje.

Kjo do të ishte për proceset evropiane në Ballkanin Perëndimor, një hap i madh përpara; në fakt, një formësim përfundimtarë i konjukturës së re dhe kështu në lojën e re do të futej edhe Maqedonia përmes kryeministrit të saj të ri Zaev, duke e shndërruar çiftin Rama-Vuçiq në një” treshe” të qëndrueshme e cila në bashkëveprim të mbështetur nga BE dhe SHBA, në vitet në vijim edhe mund të përmbyll konfliktet kyçe në Ballkan dhe të hapte perspektivën e vërtetë euroatlantike, duke krijuar kështu mburojën ndaj ndërhyrjeve të tjera në rajon.

Pra, Serbia, sa e zemëruar aq edhe e frikësuar për të ardhmen e vet, ka rast të mirë për të ikur nga vorbulla e konflikteve që vazhdimisht inskenohet në Maqedoni dhe të zgjasë dorën e bashkëpunimit ndaj Shkupit, po aq sinqerisht sa edhe ndaj shqiptarëve, dhe të bind të gjithë se nuk është më ajo Serbia e dikurshme që dogji Ballkanin – sa për interesa të veta, sa të sponsorëve të saj.

Exit mobile version