Telegrafi

Serbia e ka humbur Kosovën, por shqiptarët s’janë të gatshëm për pavarësi

"Tash është momenti për diplomacinë urgjente kreative të fuqive botërore”, vlerëson gazeta amerikane, duke shtuar se ndërmjetësi i OKB-së (Martti Ahtisaari), në muajin shkurt të këtij viti, kishte propozuar plan të arsyeshëm për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

“Shqiptarët e Kosovës kanë thënë se do të presin deri më 10 dhjetor, por jo më gjatë. As SHBA-ja e as Bashkimi Evropian nuk do të duhej të prisnin më shumë”, konsideron NYT.

Duke vlerësuar se në këtë kontest “nuk ka djelmosha të mirë e as dëshirë për kompromis”, gazeta thekson se, “serbët refuzojnë të pranojnë se invazioni i Millosheviqit i vitit 1999 e ka humbur Kosovën”, mirëpo shton se, “as shqiptarët e Kosovës, nuk janë të përgatitur për pavarësinë që kërkojnë”.

Këtë gjë e ka shfrytëzuar Rusia, e cila mbështet fuqishëm Serbinë, dhe bashkërisht kërcënojnë me prishjen e federatës së Bosnjës e Hercegovinës, nëse Kosova bëhet e pavarur, shkruan kjo gazetë.

Duke vlerësuar se shpallja e njëanshme e pavarësisë do të ishte e “pakënaqshme”, ndërsa përsëritja e konfliktit në Bosnje “katastrofale”, gazeta vlerëson se Washingtoni do të duhej t’i bindte rusët që, “lojërat e tyre janë të rrezikshme të këqija dhe në fund të padobishme”.