Nga viti 2008 – kur Kosova shpalli pavarësinë – deri më 2021, mjetet nga buxheti i Serbisë për shtetin e ri u dyfishuan.
Të dhënat e disponueshme tregojnë se fondet për Kosovën në vitin 2008 kapnin vlerën e 52.3 milionë eurove, ndërsa në vitin 2021 arritën në 124.2 milionë euro.
Megjithatë, mjetet e nxjerra në llogaritë përfundimtare të buxhetit të Serbisë nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht të gjitha paratë që Serbia ka ndarë për Kosovën.
“Është e vështirë të verifikohen ato investime që shkojnë në mënyrë indirekte, nga burime publike, e që nuk mbulohen nga fondet buxhetore”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nemanja Nenadiq, drejtor i programeve në organizatën joqeveritare Transparenca në Serbi.
Mediumi analizoi të dhënat e disponueshme në llogaritë përfundimtare të buxhetit të Serbisë nga viti 2008 deri në vitin 2021. Këto, njëherësh, janë të dhënat e fundit në dispozicion për publikun.
Po ashtu kërkoi të dhëna të plota edhe nga Departamenti i Thesarit të Serbisë, por ky institucion tha se nuk të dhëna të tilla.
Totali i mjeteve: 853.2 milionë euro
Sipas të dhënave të disponueshme, ndarjet buxhetore të Serbisë për Kosovën ishin të njëjta deri në vitin 2016. Nga ai vit, Serbia filloi ta rrisë sasinë.
Përmes ministrive të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, ajo dha 853.2 milionë euro nga buxheti për ish-krahinën e saj jugore.
Ndarjet nga buxheti i Serbisë për Kosovën 2008-2021
Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia nuk e njeh atë si shtet.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.
Ministria e Financave e Serbisë “nuk ka” të dhëna
Përmes një kërkese për qasje në informacionet me rëndësi publike, REL-i kërkoi informacione nga Administrata e Thesarit për shumën totale të granteve direkte dhe indirekte për Kosovën, nga viti 2008 deri në vitin 2022.
Nga kjo administratë thanë se “nuk i kanë të dhënat e kërkuara”.
Departamenti i Thesarit është pjesë përbërëse e Ministrisë së Financave të Serbisë.
Siç thuhet në ueb-faqen e tij zyrtare, detyrat kryesore të tij përfshijnë “menaxhimin e burimeve financiare të Republikës së Serbisë”, kontrollin e shpenzimeve buxhetore dhe raportimet për ekzekutimin e buxhetit.
Shumica e parave kaluan përmes Zyrës për Kosovën
Shumica e parave nga Serbia në Kosovë kaluan përmes Zyrës së saj për Kosovën.
Deri në vitin 2016, në kuadër të Qeverisë së Serbisë ekzistonte Ministria për Kosovën, por, pas zgjedhjeve të vitit 2016, në vend të saj u formua një zyrë.
Të dhënat tregojnë se 80 për qind e totalit të pagesave për Kosovën, të paraqitura në llogaritë përfundimtare nga viti 2008 deri në vitin 2021, kaluan përmes Zyrës për Kosovën, gjegjësisht Ministrisë për Kosovën.
Siç shihet nga llogaritë përfundimtare të buxhetit, fondet u ndanë edhe përmes ministrive të veçanta.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në REL.