Site icon Telegrafi

Serbia do fluturim Beograd – Prishtinë përmes Maqedonisë

Në raundin e fundit të dialogut Beograd – Prishtinë në Bruksel, delegacioni i Serbisë ka propozuar vendosjen e linjës ajrore ndërmjet këtyre dy qyteteve.

Siç merr vesh B92, transmeton Koha.net, ideja është që avioni i kësaj linje të hyjë në hapësirën ajrore të Maqedonisë për t’u bërë, kështu, kjo linjë ndërkombëtare ajrore.

Edhe pse pak më e gjatë, kjo rutë do të merrte prefiksin ndërkombëtar. Kështu, shpreson delegacioni serb, do të evitoheshin bisedimet për kufizimin e hapësirës ajrore ndërmjet, si ç thotë Beogradi, Serbisë qendrore dhe Kosovës që e dëshiron pala prishtinase.

“Po bisedohet për formulimet e dhe për statutin e avionit kur të aterrojë ai. Po bisedohet edhe rreth asaj se kush dhe në cilin nivel do ta marrë kontrollin, e këto janë kryesisht çështje statusore”, thotë Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike .
Nga Prishtina thonë se vënia e linjës ajrore dhe kontrolli i hapësirës ajrore janë çështje të ndara dhe përkujtojnë se për kontrollin ajror nuk bisedohet me Beogradin por vetëm me NATO-n.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi thekson se është shumë me rëndësi që në rundet e ardhshëm të negociatave të bisedohet për modalitetet e modelit të lehët e më të lirë të udhëtimit nga Prishtina në Beograd, por udhëtimi me siguri nuk do të kalojë përmes Maqedonisë.

Kjo temë do të shqyrtohet, sigurisht, në Bruksel, pas zgjedhjeve në Serbi. /Telegrafi/

Exit mobile version