Site icon Telegrafi

Serbia dinake kridhet në krimet e saja!

Arrestimi të enjten i kriminelit Ratko Mlladiq nga organet e sigurimit serb, pa mëdyshje ka ardhur si një lajm i mirë për të gjithë popujt paqedashës të botës, ka ardhur si lajm i mirë për qytetarët e rajonit të Ballkanit që kanë pësuar nga politikat luftënxitëse të popullit serb, dhe sigurisht ka ardhur si lajm jashtëzakonisht i mirë për familjet e njerëzve që nga mizoria e tij gjakatare, e krahasuar me kryqëzatat e shekujve të mesjetës, u vranë dhe u prenë pa kursim në luftën e përgjakshme në Bosnjë e Hercegovinë. Por me gjithë rezultatin e mirë të arrestimit, me dyshim të madh duhet të shihet momenti i zgjedhur për arrestimin e Mlladiqit, situata e përgjithshme politike në rajon, dhe predispozimi ndërkombëtarë ndaj Serbisë. Ti marrim këto gjëra me radhë.

Së pari, momenti që u zgjodh për arrestimin e Mlladiqit, ishte një pikë jashtëzakonisht me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe integruese. Po ditën kur u arrestua ai, në Francë burrështetasit e fuqive më të mëdha të globit janë mbledhur për të trasuar rrugën e zhvillimit për vitin në vazhdim. Sigurisht se lajmi për arrestimin e Mlladiqit u prit në samit me kënaqësi, sepse të gjitha delegacionet pjesëmarrëse turr e vrap lëshuan deklarata për ta përshëndetur këtë veprim.

Çështja tjetër po aq e rëndësishme, është ajo që ka të bëj me rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian të cilën Serbia e do pa masë. Procesi i negociatave për associmin e Serbisë me BE-në gati sa ka përfunduar, dhe Mlladiqi ishte hendeku i fundit që duhej kapërcyer përpara marrjes zyrtare të statusit të kandidatit. Arrestimi i tij po ashtu përkoj me vizitën e komisioneres së BE-së Ashton në Beograd e pastaj në Prishtinë. Me këtë Serbia deshi që të deklaroj veten si ‘partnere e fuqishme’ e organizatës së të 27-ve, ashtu që rrugëtimi i sajë drejt BE-së të mos jetë fort i lodhshëm apo edhe i dhimbshëm.

Sa i përket situatës politike në rajon, Serbia u mundua që ta paraqes veten si një aktor që ‘shkëlqen stabilitet’ sepse ‘rendi dhe ligji respektohen në maksimum’, kurse Ballkani nga ana tjetër, po zien me probleme si ato ekonomike në Rumani e Greqi, apo politike si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje dhe Hercegovine dhe Kroaci.

Dhe çështja e fundit, që ka të bëj me predispozimin ndërkombëtar ndaj Serbisë, pati një cytje, sepse shumë nga qarqet diplomatike të botës kanë harruar krimet e viteve të 1990-ta bërë nga Serbia, dhe me dorëzimin e Mlladiqit këtë vend e shohin si respektues edhe të drejtës ndërkombëtare.

Megjithëkëtë, dy çështje mbesin si në pezull pas këtij akti; krekosja trimërore e Serbisë ‘pas këtij suksesi’ siç e quajti Presidenti Tadiq arrestimin e Mlladiqit, që për shumë kë akoma mbetet hero kombëtar i serbëve, dhe nivelizimi i krimeve të kombit të tij, me dromca thashethemesh që janë plasuar në opinionin botërorë pikërisht nga politika dinake serbe. Habitshëm, megjithëse u arrestua një kriminel që akuzohet për shfarosjen e gjithë meshkujve të një qyteti (rasti i 8000 meshkujve të pushkatuar në Srebrenicë është pjesa kryesore e akuzës kundër tij) Serbia pretendon suksese në anën e sajë, aq më tepër kur edhe shurdhmemecët po ti kish pyetur njeri në Serbi, do të kishin treguar vendstrehimin e Mlladiqit në shtetin e tyre këto 15 vjetëve të fundit.

Përpos kësaj, çështja që kërkon një studim të thukët, është kërkesa e kryetarit Serb Boris Tadiq, që nga organizatat ndërkombëtare të hetohen pretendimet e vendit të tij për ‘trafikimin e organeve nga ana Shqiptare gjatë luftës së fundit të Kosovës. Sepse Tadiqi, duke dorëzuar Mlladiqin që nuk i duhet më në gjykatën e Hagës, barazoj krimet e llahtarshme të kombit të tij, me luftën e një kombi për çlirim dhe pavarësim. Nga kjo çështje duhet të mësoj shumë politika e Kosovës, jo për të bërë rolin e qengjit kur mban veshur lëkurën e ujkut, por të ketë kujdes nga dredhitë, dinakërie dhe hipokrizia serbe që përpiqet dorëzimin e kriminelit ta shndërroj në avantazh.

(Autori është bashkëpunëtor shkencorë në Qendrën për Studimet e Shkencave Politike të Europës Lindore; studiues shkencorë në Universitetin Njukasell; anëtarë i Qendrës për studimet fqinjësore i Universitetit Sterling; bashkëpunëtor korrespondent në Universitetin e Varshavës; dhe pedagog i shkencave politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe)

Exit mobile version