Telegrafi

Serbia dhe Spanja u larguan nga një konferencë në Vjenë, sepse Kosova u prezantua pa fusnotë

Një delegacion i Komitetit për Politikë të Jashtme i Parlamentit të Serbisë ka lëshuar Konferencën ndërparlamentare mbi politikën dhe sigurinë e përbashkët të BE-së në Vjenë, për shkak të përfaqësimit “jo adekuat” të delegacioneve nga Prishtina.

Kjo informatë është raportuar nga mediat serbe, përcjell Telegrafi, sipas të cilave, delegacioni i Parlamentit spanjoll gjithashtu braktisi konferencën, sepse institucionet e Prishtinës u prezantuan me flamurin dhe emrin Kosovë pa fusnotë.

Konferenca po mbahet në Vjenë, brenda presidencës gjashtë-mujore austriake të Këshillit të BE-së.

Po sipas mediave serbe, delegacioni serb të mërkurën, në prag të konferencës, kanë kërkuar që përfaqësuesit nga Prishtina “të paraqiten në përputhje me Marrëveshjen për përfaqësimin rajonal”.

Dhe siç thuhet më tej, një delegacion i Parlamentit të Spanjës gjithashtu kishte të njëjtat pikëpamje.

“Ndërsa organizatori, Parlamenti i Austrisë, nuk donte ta respektonte kërkesën e dy delegacioneve, përfaqësuesit e Serbisë dhe Spanjës u larguan nga sesioni”, është thënë në një deklaratë të Kuvendit të Serbisë.

Kujtojmë se Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e cila deri më tani nuk e ka njohur Kosovën. /Telegrafi/