Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në mbrëmjen e 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë KFOR-it një kërkesë elektronike për të kthyer një numër të caktuar të pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.
Vuçiq ka bërë të ditur se më 16 dhjetor ajo kërkesë do t’i dorëzohet përfaqësuesit të KFOR-it në kufirin me Kosovën.
Sipas mediave serbe, pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, Vuçiq tha se vendimi është marrë unanimisht.
“Vendimi është marrë unanimisht dhe është respektim i së drejtës publike dhe është i rëndësishëm për mbrojtjen e popullatës dhe për kontrollin e pikave kufitare. Ne jemi pothuajse të sigurt që nuk do të pranohet, por presim ta marrim letrën”, theksoi Vuçiq.
Beogradi zyrtar i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSB) të vitit 1999.
Vuçiq pati thënë ditë më parë se e di që një kërkesë e tillë megjithatë s’do të pranohet. Kërkesa e Serbisë vjen pak ditë pas nisjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe në ditën kur Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.
KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar hapin e Serbisë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë. /Telegrafi/