Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm nga shtetet e bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për normalizim mes raporteve Kosovë-Serbi, agresiviteti i diplomacisë serbe ndaj Kosovës vazhdon të jetë i hapur.
Ministri i Jashtëm serbe, Selakoviç ka thënë se një numri madh shtetesh janë të gatshëm ta tërheqin njohjen e Kosovës.
“Një numër i madh vendesh janë gati ta tërheqin njohjen e Kosovës. Numri i shteteve që janë të gatshme ta tërheqin mbështetjen ndaj Kosovës nëse Serbia ua kërkon këtë e tejkalon dhjetën”, ka deklaruar shefi i diplomacisë serbe.
https://youtu.be/hruIPS2AT1A?t=1209
E kjo luftë diplomatike e Serbisë sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, nuk e rrezikon vetëm Kosovën por gjithë rajonin.
“Agresiviteti i Serbisë rrezikon paqen në Ballkan. Serbia është në një fushat dhe luftë diplomatike natë e ditë ndaj Kosovës dhe kjo është në vazhdën e provokimeve që bënë Serbia tash e ca kohë”, deklaroi Spahiu për RTV Dukagjinin.
Ndërsa Emir Abrashi nga Demokracia Plus thotë se Serbia asnjëherë nuk e ka pezulluar fushatën kundër shtetit të Kosovës.
“Vërehet qartë se Serbia edhe gjatë moratoriumit ka lobuar kundër shtetit të Kosovës megjithatë duket se këtë e ka bërë në mënyrë shumë të mençur, pra duke i mbajtur këto shtete te gatshme për ta tërhequr njohjen e Kosovës por që nuk e kanë realizuar qëllimin deri në fund”, deklaroi Abrashi.
Njohësit e fushës së diplomacisë shprehen kritikë ndaj Ministrisë së Jashtme.
“Ka kohë që Ministria e Jashtme nuk është aktive në punën e saj për të siguruar njohje dhe për të konsoliduar marrëdhëniet me shtetet që na kanë njohur”, deklaroi Spahiu.
“Deri më tani kemi një diplomaci akoma të pakonsokiduar që nga ardhja e pushtetit të ri. Me këtë rast nuk kemi arritur të bëjmë lobim efektiv për njohje të reja e as anëtarësim në ndonjë organizatë të re”, deklaroi Abrashi./Telegrafi/