Lojtari serb, Aleksandër Shoshiq që po provohet te Drita e Gjilanit, ka ngjallur reagime të mëdha në Serbi. Mediat serbe kanë kritikuar lojtarin që ka vendosur të luajë për një skuadër shqiptare, derisa kanë intervistuar babain e tij, Novica, i cili ka deklaruar se pavarësisht se sulmuesi 19-vjeçar do të luajë për Dritën, ai kurrë nuk do të vesh fanellën e Kosovës.
“Djali im i talentuar është dëshiron të kënaqet me futboll sepse është diçka që e do më së shumti në jetë dhe nuk i intereson asgjë tjetër. Pasi nuk ka kushte të luajë në Pasjanin tonë, e kam dërguar tek Drita e Gjilanit, sepse është skuadra që e kemi më së afërmi. Nëse dikush në Serbi e ka një ide më të mirë dhe dëshiron të na ndihmojë, ne do ta pranonim me kënaqësi”, ka thënë Novica për Kurir.
I pyetur nëse Aleksandër është i mirëpritur nga bashkëlojtarët, babai shtoi: “Të them sinqerisht, si prind, në fillim nuk e kisha të lehtë që djali im të stërvitet së bashku me 30 shqiptarë. Megjithatë, gjithçka ka kaluar pa problem. Është duke u provuar dhe ende nuk është bërë lojtar i Dritës”.
Novica ua plotësoi dëshirën mediave serbe, duke i garantuar se djali i tij nuk do të vesh fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. “Nuk jam patriot sikur ata të Beogradit, por për Kosovën nuk do të luajë kurrë. Nëse do të jetë aq i mirë, do të mund të luante për Serbinë, ndërsa tash për tash ai as nuk është regjistruar për Dritën”, garantoi Soshiq.
Drita: Serbët le të reagojnë për ushtarët e ministrat
Drejtuesve të Dritës nuk po u bënë përshtypje reagimet e mediave serbe për lojtarin që po provohet tek ta. Ata thojnë se nëse Shoshiq ka cilësi do ta ndalin, dhe nuk do t’iu interesojë fare kombësia e tij. “Ai njëherë është duke ushtruar, kurse reagimet e tyre nuk na interesojnë. Ata është dasur të reagojnë edhe për ushtarët serbë të FSK (Forca e Sigurisë së Kosovës), dhe ministrat që i kanë në Qeverinë e Kosovës. Ne nuk jemi racistë, për ne të gjithë janë të njëjtë”, u shpreh për Arenën, zyrtari i lartë i Dritës, Islam Rashiti.
Javën e kaluar, trajneri i Dritës, Agron Selmani tregoi për Arenën cilësitë e Soshiqit, sipas të cilit me moshën që ka ai (19) mund të kontribuojë edhe tek juniorët.
Novica kritikon mediat serbe
Për shkak të bujës që bëri lajmi për djalin e tij në mediat serbe, Novica Shoshiq ka pyetur mediat e këtij vendi, duke iu thënë se: Përse nuk shkruani për ministrat në qeverinë e Kosovës?. /Tribuna/Telegrafi/